Dastid Koreshi ka folur me superlativa për votimin e sotëm në Asamblenë e Këshillit të Europës për Kosovën. Ambasadori dhe përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës (KiE) theksoi se ky ishte rezultati i një pune 2-vjeçare.
Në një lidhje të drejtëpërdrejtë me emisionin "Noë me Erla Mëhillin", Koreshi tregoi të mirat që do të përfitojë Kosova nga anëtarësimi. Gjithçka ka qenë e mirë përgatitur, madje kanë qenë gati dhe argumentet për ata që ishin kundër.
“Ajo që ndodhi sot në asamble ishte rezultat i një pune 2 vjeçare. Fillimisht ka qenë argumentimi nga ana e Kosovës, Shqipërisë dhe aleatëve pse Kosova duhet të bëhej anëtare. Në Asamblenë e KiE është më e vështirë për të bërë lobimin, ndërsa në Komitetin e Ministrave është pak më e thjeshtë.
Për Kosovën kjo është një ulëse për një nga organizatat më të rëndësishme të këtij kontinenti. Organizata më e rëndësishme për të drejtat e njeriut në kontinent. Një organizatë e standarteve, por edhe politike. Ulet si shtet anëtar. Janë mbi 220 konventa dhe marrëveshje në Këshillin e Europës që kanë mekanizmat e tyre në fushat e tyre në tre fusha të caktuara, që po punojnë përditë me Kosovën për të rritur këto standarte.
Ne kemi qenë të bindur që në fillim, që të gjitha argumentat që do të ngriheshin, do të ishim të gatshëm që t’i sfidonim. Duke nisur që nga shtetësia e Kosovës, unë e thashë, një organizatë nuk njeh një shtet, janë marrëdhëniet dypalëshe. Argumentet e tjera që kanë dhënë skeptikët, përshembull ‘duhet të jesh anëtar në OKB para se të jesh në KiE’, edhe kjo nuk qëndron, pasi 5 shtete kanë qenë në KiE pa qenë në OKB”, deklaroi Koreshi.