Përfaqësuesit e misionit të OSBE/ODIHR dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE kanë qenë këtë të enjte në zyrat e dy prej partive më të mëdha opozitare në Shqipëri, për vlerësimin e situatës parazgjedhore në vendin tonë. Po sot, presidenti Begaj dekretoi 11 Majin për zgjedhjet parlamentare të 2025.
Oerd Bylykbashi, nënkryetar i PD, sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore dhe përfaqësuesi ligjor i kësaj force politike në KQZ, Franc Nuri, thonë se i kanë paraqitur misionit të OSBE/ODIHR tablonë e plotë të situatës së rënduar politike, institucionale dhe parazgjedhore.
"Vend të veçantë zuri përpjekja e Edi Ramës për të shkatërruar opozitën, duke marrë peng për dy vjet vulën dhe simbolet e PD dhe duke mbajtur në arrest antikushtetues liderin e opozitës Prof. Dr. Sali Berisha dhe përndjekur politikisht drejtues dhe deputetë të partive të opozitës vetëm 5 muaj para zgjedhjeve", shkruan Oerd Bylykbashi.
Ai thotë se u ka bërë me dije këtyre përfaqësuesve se rekomandimet e OSBE/ODIHR janë radiografia më e mirë e shkeljes brutale të standardeve ndërkombëtare dhe kushtetuese për zgjedhje demokratike.
"Shitblerja e votës, përdorimi i shtetit nga PS për të ushtruar presion ndaj zgjedhësve, bashkëpunimi i politikës, shtetit dhe krimit të organizuar, cenimi i lirisë dhe sekretit të votës që janë shqetësime madhore të OSBE/ODIHR, tashmë reflektohen me shqetësim edhe në rezolutat e ashpra të CDI dhe EPP ku stampohet imazhi i narko-shtetit", vijon reagimi i tij.
Oerd Bylykbashi ka kërkuar që OSBE të sjellë një mision vëzhgimi sa më të madh për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si kontribut dhe shenjë e vëmendjes ndërkombëtare për zgjedhje demokratike në vend.
"Bllokimi i reformës zgjedhore dhe i adresimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR nga PS, përpjekjet për të penguar votën e emigrantëve, kontrolli politik mbi KQZ dhe gjykatën, angazhimi i krimit të organizuar në zgjedhjet e ardhshme, mosveprimi i SPAK dhe prokurorisë së zakonshme kundër krimeve zgjedhore etj, përbëjnë shqetësime serioze me të cilat opozita do të përballet frontalisht", përmbyll ai.
Ky grup përfaqësuesish ka qenë edhe në selinë e Partisë së Lirisë. Ata janë pritur nga Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi dhe përfaqësues të tjerë të kësaj force politike, të cilët thonë se kanë vlerësuar bashkëpunimin dhe asistencën e ODIHR për monitorimin dhe rritjen e standardit zgjedhor në Shqipëri.
"Rrëmbimi kriminal, procesi kryekëput politik hetimor dhe izolimi ekstrem i Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta në prag të vitit elektoral, akuzat e stisura politike ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, burgosjet dhe shantazhet politike ndaj drejtuesve të tjerë të opozitës, manipulimet paraprake të zgjedhjeve nga ana e Qeverisë dhe Kryeministrit përmes keqpërdorimit të mekanizmave ligjorë dhe burimeve shtetërore për shit-blerjen e votës, përpjekjet për të kontrolluar votën e diasporës, patronazhimi, kapja e të gjitha institucioneve të pavarura, si dhe klima tejet e acaruar politike, ishin disa nga shqetësimet e shprehura prej nesh në këtë takim", shkruan Tedi Blushi.
Ai shton se u kanë ritheksuar përfaqësuesve të ODIHR nevojën alarmante për të forcuar zbatimin rigoroz të Kodit Zgjedhor dhe për krijimin e një klimë zgjedhore normale, pa ndikimin të krimit dhe administratës publike rilindase në zgjedhje, në mënyrë që të kemi një pjesëmarrje sa më të lartë të qytetarëve në zgjedhje, si dhe një rezultat të gjithëpranuar.
"Partia e Lirisë mbetet në çdo kohë e angazhuar për të bërë gjithçka, si në planin politik ashtu edhe të ekspertizës teknike të nivelit të lartë, në mënyrë që të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve dhe ku çdo shqiptar të votojë i lirë, pa presion dhe kërcënime", përmbyllet reagimi.