Dita e zgjedhjeve në garën për Shtëpinë e Bardhë është e marta e 5 nëntorit, por kjo nuk do të thotë se ne do të dimë se kush i fitoi zgjedhjet në atë datë.
Vitet e fundit, gjithnjë e më shumë amerikanë po hedhin vota me postë, të cilat kërkojnë më shumë kohë për t'u numëruar sesa votat personalisht, sepse ato duhet të hapen dhe verifikohen. Kjo do të thotë se zbulimi i fituesit në natën e zgjedhjeve mund të jetë një gjë e së kaluarës.
Por kush do të jetë fituesi? Sondazhet tregojnë një diferencë të ngushtë mes Trump dhe Harris. Sipas një sondazhi të fundit nga ABC News dhe Ipsos, zëvendëspresidentja demokrate Harris kryeson me tre pikë ndaj sfidantit të saj republikan. Ky sondazh, i kryer nga 29 tetori deri më 1 nëntor, tregon mbështetje prej 49% për Harris, kundrejt 46% për Trump.
Rezultatet janë të ngjashme me javët e kaluara, kur Harris kishte një avantazh prej katër pikësh, ndërsa disa javë më parë ishte prapa Trump-it me dy pikë. Të dy kandidatët po fokusohen fuqimisht tek shtetet kyçe, që do të jenë vendimtare për rezultatet. Trump, në një tubim në Georgia, parashikoi një fitore të madhe, duke thënë: "Ne duhet të ndalojmë agjendën radikale të majtë dhe të fitojmë fuqishëm."
Ndërkohë, në Detroit, Harris u shpreh se zgjedhjet e së nesërmes janë për të ardhmen e brezave të ardhshëm.
"Nuk mjafton vetëm të lutemi apo të flasim. Ne duhet të veprojmë dhe të bëjmë realitet planet që kemi për demokracinë tonë," theksoi ajo.
Harris ka mbështetje të fuqishme nga votueset femra, ndërsa Trump ka fituar mbështetje tek votuesit hispanikë, veçanërisht tek burrat.