![Peleshi sjell Shqipërinë e 2013-ës dhe sot: Atëhere](https://cdnimpuls.com/newsbomb.al/media3/-900-0-1734003701xscreenshot-18-371.jpg)
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi gjatë seancës plenare të kësaj të enjte ka bërë një panoramë të Shqipërisë para 11 vitesh dhe Shqipërisë sot.
Peleshi ka listuar arritjet e qeverisë së Edi Ramës duke theksuar se në zgjedhjet e 2025 shqiptarët do t’ i besojnë sërish partisë politike që ai bën pjesë.
“Sot Shqipëria nuk bën lajm për keq, bën lajm për mirë në gjithë botën. Shqipëria sot është bërë një vend për tu vizituar dhe për të investuar. Asgjë nuk është rastësi. Në Shqipëri ka mbi 10 mln turistë dhe nuk është rastësi, nuk është rastësi që ekonomia është dy herë më e madhe se në vitin 2013. Të gjitha këto nuk janë rastësi. Rruga juaj nuk mund të çonte në një buxhet tre herë më të madh, në një Shqipëri dy herë më të madhe ekonomikisht, sepse që të shkosh aty duhet të ndërmarrësh reforma, që të ndërmarrësh reforma duhet të pranosh koston afatshkrutër dhe përfitimin afatgjatë.
Ne nuk trashëguam një buxhet 8.2 mld, trashëguam një buxhet 3 herë më të vogël. Në vitin 2013 80% e pajisjeve shëndetësore në shëndetësi ishin të amortizuara, ishin shkaku i mijëra infeksioneve dhe sëmundjeve, të njerëzve që shkonin për tu shëruar dhe dilnin të sëmurë. Sot janë 70% e pajisjeve të reja. Jemi dy qasje të ndryshme politike, jemi dy sisteme vlerash të ndryshme. Lajmi i keq për ju dhe i mirë për ne është se shqiptarët e kuptojnë, kjo është arsyeja pse PS fiton dhe do të fitojë përsëri”, tha Peleshi.