
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka qenë i pranishëm në Ministerialin e NATO-s që po zhvillohet ditën e sotme në Bruksel.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Peleshi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social, Facebook, ndërsa evidenton se Shqipëria do të vijojë angazhimin ndaj Aleancës duke konsoliduar buxhetin e mbrojtjes me 2.03% të PBB-së.
Sipas Peleshit, një pjesë e buxhetit do të investohet për të modernizuar armatimet dhe pajisjet e Forcave të Armatosura , ndërsa shton se kanë si qëllim që të prodhojnë produkte ushtarake “Made in Albania” brenda vitit 2030.
“Shqipëria vijon angazhimin ndaj Aleancës, duke konsoliduar buxhetin e mbrojtjes me 2.03% të PBB-së. Një pjesë e madhe e këtij kontributi do të investohet për modernizimin e armatimeve dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura. Gjithashtu ambicia jonë është që të prodhojmë produkte ushtarake #MadeInAlbania brenda vitit 2030”,- shkruan Peleshi.
Gjithashtu, Peleshi thekson se do të vazhdojnë mbështetjen ndaj Kosovës në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik dhe kërkon trajtim të ekuilibruar të fakteve mbi dinamikat e zhvillimit të sigurisë në këtë vend.
“Të qëndrueshëm në mbështetje të Kosovës në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik dhe kërkojmë trajtim të ekuilibruar dhe realist të fakteve mbi dinamikat dhe zhvillimet e sigurisë atje”,- shkruan ministri, Niko Peleshi në rrjetin social Facebook.