Hapësire reklamuese

Politikë

PD në mbrojtje të Agron Shehaj: Çdo veprim ndaj bizneseve të tij, do të konsiderohet sulm ndaj opozitës

Shkruar nga Newsbomb
PD në mbrojtje të Agron Shehaj: Çdo veprim ndaj bizneseve
Ulsi Manja dhe Agron Shehaj

Partia Demokratike, grupimi i Rithemelimit i drejtuar nga Sali Berisha, ka reaguar për përplasjen e ndodhur në seancën e djeshme plenare mes ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe deputetit opozitar, Agron Shehaj. Debatet mes tyre kanë qenë të ashpra.

Madje, në një rast ministri Manaj i tha kolegut opozitar se "do t'i priste veshët". Ky moment e çoi debatin mes tyre në një nivel tjetër, me Agron Shehaj që e quante ministrin "të korruptuar", ndërsa ky i fundit i "premtoi" se shteti do merrej seriozisht me bizneset e tij.

Përmes anëtarit të Kryesisë, Grigels Muçollari, Partia Demokratike thotë se çdo veprim i autoriteteve ndaj bizneseve të deputetit Agron Shehaj do të konsiderohet sulm ndaj opozitës.

"Partia Demokratike e dënon ashpër sulmin, del në mbrojtje të deputetit të opozitës dhe e paralajmëron Ulsi Manjën se çdo tentativë ndaj Agron Shehajt apo ndaj biznesit të tij do të konsiderohet si sulm ndaj opozitës dhe si i tillë do ta ketë përgjigjen", është shprehur ai.

Më tej, Grigels Muçollari ka theksuar se gjuha e përdorur nga Ulsi Manja është një cenim i drejtpërdrejtë, jo vetëm i ndarjes së pushteteve, por edhe i përdorimit të shtetit për të sulmuar kundërshtarin politik.

DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, GRIGELS MUÇOLLARI:

Kërcënimi i deputetit të opozitës Agron Shehaj nga ministri i drejtësisë Ulsi Manja në Kuvendin e Shqipërisë është akti i radhës i çmendinës qeveritare që drejton Edi Rama.

Parlamenti i kthyer në ‘fermë kafshësh’ lejon gjuhën barbare të ministrit që i thotë deputetit ‘do të pres veshin’.

Është i njëjti parlament ku kryetarja ‘çonte në riedukim’ gjysmën e grupit parlamentar demokrat duke e përjashtuar nga Kuvendi.

Manja i dosjes së zezë të vjedhjes së zgjedhjeve, 184, i tha deputetit Shehaj se do t’i lëshonte qentë e pushtetit, pra do ti çonte kontrollet në bizneset private. Nuk është hera e parë që ndodh kjo kundër deputetit opozitar.

Ky është një cenim i drejtpërdrejtë, jo vetëm i ndarjes së pushteteve, por edhe i përdorimit të shtetit për të sulmuar kundërshtarin politik.

Gjuha e ministrit është e papranueshme, dhe habia e mosreagimit si nga kryetarja e Kuvendit, si nga kryeministri, ashtu dhe nga trupa diplomatike, nuk bën gjë tjetër veçse normalizon, jonormalen, joetiken dhe jomoralen.

Partia Demokratike e dënon ashpër sulmin, del në mbrojtje të deputetit të opozitës dhe e paralajmëron Ulsi Manjën se çdo tentativë ndaj Agron Shehajt apo ndaj biznesit të tij do të konsiderohet si sulm ndaj opozitës dhe si i tillë do ta ketë përgjigjen.

Ulsi Manjas duhet t’i vijë turp për gjuhën. Sa për guximin për të përdorur shtetin për qëllime politike kjo nuk është gjë e re dhe nuk habit askënd. Prej një dekade tashmë shteti është kthyer në instrument të pushtetit të qelbësirave, që u bënë bashkë në vitin 2013, dhe rrinë në kurrizin e Shqipërisë si hienat mbi luanin.

Ulsi Manja vetëm sa shtoi repertorin e tij si delinkuent, me gjuhën kundër Shehajt. Tashmë, veçse si vjedhës zgjedhjesh, ai regjistrohet edhe si cub Kuvendi.

Është barrë e madhe trupi, por i shkon profilit të tij dhe të qeverisë ku bën pjesë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese