Lideri demokrat Sali Berisha u paraqit këtë të hënë para Prokurorisë së Posaçme, në përbushje të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të vendosur nga Apeli i GJKKO. Berisha ka firmosur dhe një procesverbal, ku ka lënë dhe një shënim.
Krahas firmosjes së dokumentit, në praninë e oficerit të policisë gjyqësore Endri Meçi, Berisha ka lënë një mesazh drejtuar gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke e përdorur këtë mundësi për të shprehur pakënaqësinë e tij ndaj institucioneve të drejtësisë.
“Ky është një akt i turpshëm politik me të cilin prokuroria në kundërshtim me kushtetutën kërkon të më ndalohet fjala e lirë, dhe një gjykatës kukull i Partisë vendosi sipas kërkesës së tyre. Unë kam denoncuar dhe do denoncoj bashkëpunimin e Dumanit e kompani me krimin si një organizatë kriminale”, ka shkruar Berisha.
Në dokument thuhet se procesverbali pasi lexohet gjendet i rregullt dhe nënshkruhet pa vërejtje por Berisha ka shkelur duke lënë shënimin në fjalë.