
Telefoni i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt do të vijojë të qëndrojë në Prokurorinë e Posaçme.
Apeli i GJKKO-së vendosin mëngjesin e kësaj të enjte rrëzimin e kërkesës së Erion Veliajt për kthimin e telefonit të sekuestruar me urdhër të SPAK nga oficerët e BKH-së në momentin kur qytetari i parë i Tiranës u arrestua. Veliaj pretendon se sekuestrimi i celularit është bërë në mënyrë të paligjshme dhe për këtë arsye ka kërkuar për të disatën herë kthimin e telefonit.
Kujtojmë se kryebashkiaku Veliaj ra në pranga me urdhër të SPAK paraditen e 10 shkurtit, për disa akuza si shpërdorim detyre, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash.
Ndërkohë, një ditë më parë GJKKO e la në qeli kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Pasditen e së mërkurës, gjyqtari Erion Bani vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e arrestuar të Bashkisë së Tiranës i cili prej 12 shkurtit ndodhet në ambientet e paraburgimit në Durrës.
Seanca e ditës së djeshme erdhi pasi në seancën e kaluar mbrojtja e Veliajt kërkoi më tepër kohë për tu njohur me aktet hetimore në ngarkim të klientit të tyre. Si rrjedhojë gjyqtari Erion Bani vendosi që seanca të shtyhej me një javë, në orën 13:30 të 23 prillit.
Gjithashtu, dje, Gjykata e Posaçme u njoh me informacionin dy mujor dhe veprimet hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme. SPAK, nga ana e saj ka deklaruar se gjatë kësaj kohe janë kryer 114 veprime hetimore që lidhen me dosjen ndaj kryebashkiakut.
Kryebashkiaku Erion Veliaj është e disata herë që po kërkon lirinë. Ishte gjyqtari Hengert Pëllumbi ai i cili më herët refuzoi kërkesën e qytetarit të parë të Tiranës dhe mori parasysh kërkesën e prokurorëve të posaçëm, Altin Dumani dhe Ols Dado të cilët kërkuan lënien në qeli të Veliajt, pasi sipas tyre vendoste në rrezik procesin, duke pasur mundësi që të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët.
Kujtojmë se kryebashkiaku Veliaj i cili prej 12 shkurtit ndodhet në ambientet e paraburgimit në Durrës akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Vlen të theksohet se këto vepra penale dyshohen se janë konsumuar plot 9 herë nga çifti Veliaj – Xoxa, kjo e fundit me 3 akuza zyrtare, të cilat janë: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Sondazh