
Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka udhëtuar ditën e sotme drejt Shkodës për të prezantuar kandidatët e qarkut në parlamentaret e 11 majit.
Në fjalën e tij Rama nuk kaloi pa ironizuar listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike duke i cilësuar si personazhe groteske e qesharakë që të vjen zor t’i përmendësh.
Në mesin e tyre, Rama përjashtoi vetëm një emër, atë të deputetes së Shkodrës, Greta Bardelin për të cilën u shpreh se gëzon respekt.
“Janë kthyer prapë te ca personazhe, nuk e kuptoj, ca personazhe që të vjen zor t’i përmendësh, listë kënete. Përveç një emri që kam respekt, zonja që është në parlament, gjithë të tjerët janë personazhe groteske, qesharake, njerëz kot pa lidhje”, tha Rama.
Ndërkohë kujtojmë që kryeministri Rama gjithashtu është shprehur pozitivisht dhe për deputetin demokrat, Dashnor Sula, i cili pasi u la jashtë listave të Partisë Demokratike, Rama e ftoi të bëhej pjesë e partisë së tij.