
Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me tensione pak minuta më parë. Politikanët demokratë janë mbledhur rreth foltores menjëherë sapo kryetarja Elisa Spiropali njoftoi nisjen e punimeve, duke hedhur sende të forta në drejtim të saj.
Fillimisht, deputetët kanë hedhur drejt Spiropalit librat e Kushtetutës që secili prej tyre mban në ulësen e vet, ndërsa në një moment drejt kryeparlamentares janë hedhur shishe qelqi dhe sende te tjera të forta.
Siç shihet dhe nga këto pamje të drejtpërdrejta nga Kuvendi i Shqipërisë, situata ka degjeneruar në veprime të turpshme aq sa është detyruar të ndërhyjë Garda, me efektivët që kanë tentuar të marrin na dduart e deputetëve sendet e forta.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka njoftuar në nisje të seancës së sotme se ka përfunduar zyrtarisht mandati i deputetit demokrat Ervin Salianji, duke qenë se ai është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit Tiranë me vendim të formës së prerë.
Pikërisht për këtë fakt, deputetët demokratë nisën përshkallëzimin e aksionit opozitar ashtu siç kishin deklaruar më herët. Mbledhja e Grupit Parlamentar të PD ka përfunduar vetëm pak minuta para se të niste seanca plenare, por deputetët kanë qenë tepër hermetikë, duke mos dashur që asnjë detaj nga plani të zbulohej, para se ata ta vinin në zbatim.