Hapësire reklamuese

Politikë

Paketa e Sigurisë Shkolla, Balla kërkon bashkëpunimin e të rinjve kundër fenomeneve të drogës, dhunës dhe bullizmit

Shkruar nga Newsbomb
Paketa e Sigurisë Shkolla, Balla kërkon bashkëpunimin e të
Taulant Balla

Ministri i Brendshëm Taulant Balla vizitoi sot shkollën e mesme “Ibrahim Muça” në qytetin e Librazhdit, ku dha mesazhe të forta për nxënësit, stafin arsimor dhe komunitetin e prindërve që të bëhen bashkë për të luftuar disa prej fenomeneve më shqetësuese, për të rinjtë, siç janë përdorimi i lëndëve narkotike, dhunë online dhe ajo me bazë gjinore.

Ministri Balla shoqërohej gjatë kësaj vizite nga ministrja e Shtetit për Rininë e Fëmijët, Bora Muzhaqi si dhe nga autoritet e pushtetit vendor e zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit.

Ministri Balla theksoi në fjalën e tij se ai kishte dalë nga bankat e kësaj shkolle dhe me këtë rast falënderoi të rinjtë, mësuesit dhe komunitetin e prindërve që ndër vite i kanë dhënë një emër të mirë kësaj shkolle, duke e mbajtur larg fenomeneve negative e të rrezikshme.

“Unë jam produkt 100 “bio” i kësaj shkolle – tha Ministri Balla -  dhe gjej rastin të falënderoj të gjithë mësuesit që ndër vite i kanë dhënë emër tepër të mirë kësaj shkolle. Të falënderoj të gjithë prindërit që janë sot këtu si pjesë e bordit të prindërve e po ashtu, autoritetet vendore, kryetarin e bashkisë dhe gjithkënd që ka kontribuar, por mbi të gjitha të falënderoj djemtë e vajzat e kësaj shkolle, të cilët, nga raportimet që marr nga DVP Elbasan e komisariati këtu, Librazhdi nuk është një bashki ku të kemi një problematikë të theksuar.”

Sa i përket problematikës së shpërndarjes e përdorimit të drogës, përkatësisht masave të marra nga policia në kuadër të “paketës së sigurisë në shkolla, Ministri Balla theksoi se: “Një prej problemeve me të cilët duhet të përballemi është pikërisht përdorimi i lëndëve narkotike te të rinjtë. Për problematikat që lidhen me përdorimin e lëndëve narkotike te të rinjtë, mendoj se duhet të rrisim sa më shumë bashkëpunimin e të gjithëve, me mësuesit, oficerin e sigurisë së shkollës, punonjësit e policisë, autoritetet vendore.”

Ministri bëri një apel për të rinjtë e shkollave të mesme që të merren me sport, pasi vetëm kështu mund të fitojnë mbi veset negative e me pasoja.

“Dua t’u kërkoj të rinjve të Librazhdit sot që të heqin dorë nga lëndët narkotike dhe të fokusohen sa më shumë te sportet. Para pak kohësh kemi bërë këtu një palestër dhe bashkë me bashkinë dhe FSHF do të investojmë në më shumë fusha sportive në dispozicion të të rinjve dhe mënyra më e mirë për të luftuar veset është sporti.”

Janë mbi 1100 autorë të arrestuar nga policia, në kuadër të zbatimit të paketës së sigurisë, tha Ministri Balla “Në këto 200 e pak ditë nga fillimi i zbatimit të paketës së sigurisë në shkolla, kemi pasur disa rezultate të prekshme, kemi arritur të heqim nga rruga, nga fenomeni i shpërndarjes së lëndëve narkotike një numër të konsiderueshëm personash të cilët sot duhet të përballen me drejtësinë. Janë mbi 1100 persona, mbi të cilët rëndon akuza e prodhimit apo shpërndarjes së lëndëve narkotike,” – u shpreh Ministri duke folur mbi rezultatet e punës së bërë.

Balla nënvizoi gjithashtu edhe dy problematika të tjera akute siç janë dhuna online dhe dhuna mbi bazë gjinore.

“Një nga problematikat më të mëdha, - tha Ministri i Brendshëm, - me të cilat përballen sot të rinjtë është dhuna online, “TikTok-u” apo rrjetet e tjera sociale janë kthyer në një mjedis i cili duhet kontrolluar më shumë nga ne, por që ta kontrollojmë duhet bashkëpunimi, sa më shumë e sa më i madh i vetë atyre që janë shënjestër e kësaj dhunë online.

Një formë tjetër dhune është ajo me bazë gjinore ku ne duhet të bëjmë çmos të mbrojmë vajzat e motrat tona nga çdo lloj forme e shfaqjes së dhunës. Natyrshëm edhe bullizmi mbetet një prej atyre problemeve me të cilët duhet përballur dhe jo vetëm i shkollës së mesme këtu, por i të gjitha shkollave e mjediseve të tjera.”

Ministri Balla u shpreh se këto sfida mund të përballohen vetëm duke krijuar një koalicion të madh, nxënës, mësues, prindër, autoritete shtetërore. “Na duhet që të krijojmë së bashku një koalicion, një aleancë të madhe mësues, prindër, nxënës, qeverisje vendore, autoritete të tjera në mënyrë që këto sfida t’i përballojmë së bashku!” theksoi Ministri Balla.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi në fjalën e saj, ndër të tjera shprehu falënderime për paketën e sigurisë në shkolla dhe rezultatet e arritura deri më sot.

“Kam një falënderim shumë të madh për kolegun tim, Taulantin, që për shkollat në të gjithë Shqipërinë që i ka dhënë një fokus krejt tjetër sigurisë në shkolla. Kjo ndikon për mirë te të gjithë, të nxënësit, mësuesit e mbi të gjitha, te prindërit. Ju jeni në punë e patjetër dëshironi që fëmijët tuaj, kur janë në shkollë, të ndihen të sigurt, e jo subjekt i atyre rreziqeve që i dimë shumë mirë që ndodhin,” u shpreh Ministrja Muzhaqi.

Drejtoresha e shkollës së mesme “Ibrahim Muça” bëri një ekspoze të masave të marra në kuadër të paketës së sigurisë, kamerat e vendosura, perimetri i sigurisë etj., dhe nënvizoi se prania e punonjësve të policisë, ka pasur një efekt shumë dobiprurës sa i përket sigurisë për nxënësit dhe stafin arsimor.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese