Hapësire reklamuese

Politikë

OSSH prezanton masat për furnizimin me energji elektrike gjatë sezonit, Balluku: Gatishmëri maksimale për mirëmenaxhimin e situatës

Shkruar nga Newsbomb
OSSH prezanton masat për furnizimin me energji elektrike gjatë
OSSH

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka rritur gatishmërinë me nisjen e sezonit turistik veror. Nga ana e kompanisë janë marrë të gjitha masat për të garantuar një furnizim të pandërprerë dhe me cilësi me energji elektrike për të gjithë abonentët në të gjithë vendin.

Në prani të Zëvendëskryeministres, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, administratori i OSSH, Blendian Dalipi dhe drejtuesit e rajoneve në të gjithë vendin, raportuan sot planin e masave për një menaxhim sa më mirë të situatës gjatë gjithë sezonit.

Ministrja Balluku bëri të ditur se sipas të gjitha të dhënave këtë vit parashikohet të ketë një fluks më të madh vizitorësh, krahasuar me vitet e mëparshme, ndaj dhe angazhimi duhet të jetë maksimal për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji në të gjithë vendin.

“Sezoni ndryshe nga vitet e tjera ka filluar tashmë, pavarësisht se ne po mblidhemi në javën e parë të qershorit, jemi të gjithë në dijeni që fluksi i turistëve ka nisur që në fillim të muajit maj dhe do të përfundojë ndoshta në fund të tetorit nga gjithë informacionet që ne kemi. Sigurisht janë ngritur task forcat që janë në terren, sigurisht që ka një impenjim nga të gjithë grupet e punës, por OSSH-ja luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për të gjithë mbarëvajtjen e këtij sezoni”, theksoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se vëmendja kryesore do të jetë e fokusuar përgjatë vijës bregdetare, por pa lënë mënjanë edhe zonat malore ku në vitet e fundit ka pasur një zhvillim të madh të turizmit. Balluku tha se edhe investimet e realizuara për rehabilitimin dhe fuqizimin e nënstacioneve, apo ndërhyrjet për përmirësimin e rrjetit shpërndarës dhe kabinave elektrike, do të ndikojnë në një menaxhim sa më të mirë të situatës.

“Vëmendja kryesore qëndron në ultësirën perëndimore, si zona me dendësinë më të madhe të hoteleve dhe njësive tregtare që i shërbejnë turizmit, por nuk duhet lënë pas dore edhe fakti që tashmë njësi hotelerie kemi edhe në zonat malore, të cilat nga ana e investimeve nuk kanë të njëjtin sasi investimesh siç ka pasur pjesa e ultësirës perëndimore apo qytetet kryesore. Kështu që atje ndoshta duhet vëmendje më e shtuar me grupet e punës dhe grupet e gatshme që duhet të kemi në terren. Koordinimi ka qenë i mirë deri më sot”, tha Balluku, duke shtuar se krahas menaxhimit të sezonit duhet të vijojë puna për përmirësimin e tregueseve të përformancës duke arritur targetet e vendosura.

Administratori i OSSH, Blendian Dalipi bëri një pasqyrim të të gjithë investimeve të realizuara në këto vite për përmirësimin e cilësisë së furnizimit të energjisë, duke shtuar se gjatë sezonit do të jenë të angazhuar në të gjithë vendin 1128 punonjës për të ndërhyrë në çdo moment ku do të shfaqen problematika.

“Kemi ndërhyrë në 23 nënstacione nëpërmjet remonteve. Kemi remontuar 291 kilometra linjë tensioni të lartë vetëm në bregdet dhe 950 kilometra linjë në totalin e të gjithë aseve që kemi, linja 35 kilovolt. Kemi remontuar 574 kilometra linjë e tensionit të mesëm dhe 131 kilometra linjë e tensionit të ulët, si dhe kemi ndërhyrë në 1252 kabina”, tha Dalipi.

Drejtuesit e rajoneve të OSSH në të gjithë vendin raportuan masat e marra në çdo drejtori përkatëse për menaxhimin e situatës.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese