Opozita i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit që të shpallë të pavlefshme mbledhjen e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë të mbajtur këtë të enjte nga nënkryetari Plarent Ndreca. Sipas kryetares së Komisionit, Albana Vokshi thekson se votimi u bë në mënyrë të njëanshëm dhe për këtë arsye është nul.
Kujtojmë se dje pas më shumë se 3 orë debate, Vokshi shty mbledhjen për të premten, por socialistët pasi braktisën mbledhjen e Komisionit Hetimor të Shëndetësisë vijuan punën pa kolegët demokratë dhe miratuan planin hetimor.
Për këtë arsye ka reaguar ashpër kryetarja e Komisionit Albana Vokshi, e cila thotë se “vijimi i mbledhjes së komisionit hetimor për koncesionet në shëndetësi është një veprim i paligjshëm. Ky është një uzurpim i dhunshëm dhe një shkelje arrogante e ligjit për komisionet hetimore e padëgjuar në 33 vite të Kuvendit të Shqipërisë!”.
Në reagim thuhet se ky akt rikonfirmon mungesën e plotë të vullnetit të Edi Ramës për të lejuar hetimin nga parlamentit të dy prej akteve më të rënda korruptive të qeverisjes së tij.
"Opozita me konseguencë dhe vendosmëri të palëkundur do të bëjë transparencë të plotë dhe deri në fund për këto afera korruptive, për të cilat as SPAK nuk ka guximin të thotë të vërtetën. Se 200 milionë euro aferë janë firmosur me dijeninë dhe vullnetin e Edi Ramës!
Çdo shkelje ligji do të denoncohet deri në një për të evidentuar para cdo shqiptari inkriminimin dhe aleancën kriminale rilindase Qeveri Kuvend në mbrojtjen e korrupsionit," thuhet në reagim.