Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka njoftuar këtë të mërkurë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka. Kjo është hera e dytë që kërkesa shkon në këtë gjykatë, pasi ditë më parë Kuvendi rrëzoi kërkesën e opozitës.
"Sa kohë ka ndodhur një shkelje flagrante e Kushtetutës, e vetmja rrugë është ankimi në Gjykatën Kushtetuese. Unë dua të falenderoj secilin prej deputetëve që i ëhstë bashkuar kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Në këtë kërkesë janë bërë bashkë të gjithë deputetët e opozitës", u tha Bardhi gazetarëve.
Ai sqaroi se kërkesa kishte firmat e 44 deputetëve të opozitës dhe të gjithë formacionet janë bashkuar për të kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që të shprehet për mandatin e Olta Xhaçkës. Megjithatë, siç ndodhi dhe herën e parë, pa dhënë dritën jeshile Kuvendi kjo gjykatë nuk mund të flasë.
Gazement Bardhi u përgjigj dhe për komentet e ish-bashkëpunëtorit të tij Lulzim Basha, kur tha se ai nuk ka firmosur as mocionin e parë sepse ka miqësi me njerëz pranë Olta Xhaçkës dhe ata kanë ndërhyrë që ai të mos firmosë.
"Zoti Basha, nuk ka firmosur as herën e parë për zonjën Xhaçka. Arsyet ai i di shumë mirë. Ai nuk ka pranuar të firmosë as mocionin e kësaj procedure. Ai e di kush janë ata që kanë miqësi me Olta Xhaçkën dhe kanë ndërhyrë për mocionin. Unë nuk i përgjigjem askujt që flet me vete", u shpreh Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD.
Sipas opozitës, Olta Xhaçka është në konflikt interesi, duke qenë se bashkëshorti i saj, ish deputeti socialist Artan Gaçi, ka përfituar statusin e investitorit strategjik, për ndërtimin e një hoteli në bregdetin e Dhërmiut. Vetë Xhaçka ka deklaruar se ajo nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike, dhe se statusi që ka përfituar bashkëshorti i saj nuk parashikon që diçka e tillë të ndodhë. Ajo akuzon opozitën se e ka përdorur çështjen politikisht, me të pavërteta dhe shpifje.
Dy javë më parë, Kuvendi i Shqipërisë votoi kundër dërgimit të mocionit për mandatin e Olta Xhaçkës në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa mori 39 vota "PRO" nga opozita dhe 72 "KUNDËR" nga mazhoranca.