
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha për ditën e sotme ka njoftuar organizimin e një proteste, kundër vendimit të qeverisë së kryeministrit Edi Rama për mbylljen e TikTok.
Ai është shprehur kundër kësaj gjëje, ndërsa fton të gjithë qytetarët dhe studentët të protestojnë kundër këtij vendimi.
Protesta kombëtare është thirrur nga opozita e cila ka kërkuar në polici rreth dy orë leje për tubimin, duke nisur nga ora 19:00 deri në orën 21:00.
“Të protestojmë në orën 19:00 në sheshin ‘Skënderbej’ të Tiranës, të gjithë të rinjtë. Ju kalorës mbrojtës të saj, të mblidhemi të gjithë për të mbrojtur lirinë e shprehjes”, tha Berisha.
Mësohet se në terren do jenë rreth 1200 efektivë të policisë ndërsa në gatishmëri janë forcat RENEA nëse do të jetë e nevojshme ndërhyrja e tyre.
Efektivët e policisë do të jenë të pajisur me maska kundërgaz si dhe përgjatë bulevardit do vendosen kamera për të identifikuar tubuesit e dhunshëm.
Kordoni me efektivë policie para Kryeministrisë dhe perimetrit rreth saj do të vendoset një orë para nisjes së protestës.
Një pjesë tjetër e efektivëve do të qëndrojnë në godinat e tjera, si Kuvendi, Bashkia e Tiranës apo Ministria e Brendshme.
Në terren do të përfshihen edhe agjentë civilë për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës, si dhe për të mbajtur nën vëzhgim personat që në protestat e mëparshme kanë kryer akte dhune.