
Sot do të kalojë në Kuvend për miratim projekt-rezoluta anti-korrupsion që u propozua nga kryeministri Edi Rama. Pavarësisht se opozita nuk donte dhe ishte skeptike, kjo rezolutë është futur në rend dite, teksa mjaftuan vetëm votat e mazhorancës gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Ky projekt rezolutë është i rëndësishëm pasi ka për qëllim rritjen e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit si dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian. Kjo rezolutë mund të miratohet dhe vetëm nga mazhoranca, pasi kërkon një shumicë të thjeshtë votash.
Pas përfundimit të procedurës së votimeve dhe miratimit të saj, pritet ngritja e një Komisioni të Posaçëm, ku do të monitorohet puna e institucioneve. Me rëndësi janë ato të drejtësisë për luftën kundër korrupsionit, ku do të rekomandohen propozime dhe ndryshime ligjore në përputhje me ligjet europiane.