
Sali Berisha, kreu i Grupit të Rithemelimit, u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë në protestën kombëtare që do të zhvillohet ditën e enjte, ora 11.00 përpara Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tij, Edi Rama duhet të dorëhiqet dhe vendi të drejtohet nga një qeveri teknike.
"Ndaj dhe qytetarë dhe qytetare, ju bëj thirrje ditën e enjte në orën 11:00, të grumbullohemi para parlamentit të krimit për të protestuar dhe kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kreut të narkoshtetit shqiptar, Edi Rama. Kalimin në një qeveri teknike dhe natyrisht zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Beteja jonë për largimin e të keqes së madhe që quhet Edi Rama, është betejë për jetë a vdekje, për të ardhmen tonë, të fëmijëve tanë, integrimin europian të Shqipërisë. Ndaj dhe ftoj shqiptarët të lënë çdo gjë, të mblidhemi para parlamentit në orën 11:00 të enjten që vjen", u shpreh Sali Berisha.
Ky reagim dhe kjo thirrje e liderit të opozitës vjen pas dokumentarit të transmetuar mbrëmjen e djeshme nga televizioni shtetëror italian RAI3, në të cilin shfaqej dhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj.
"Në dokumentarin e mbrëmshëm të RAI-3, emisioni më i ndjekur i të gjithë medieve italiane, në shkrimin e djeshëm të Bild për narkoshtetin shqiptar, Edi Rama, vëllai i tij Olsi, qeveritarët, leitnantët damkosen përfundimisht si bosët më të rrezikshëm të mafias në Europë.
Them më të rrezikshëm sepse këta janë mafiozët në pushtet. Është ky narkoshtet që ne denoncuam para jush, me forcën më të madhe dhe opinioni publik botëror që me instalimin e tij, me vendimin e kanabizimit të Shqipërisë, i cili dikton tashmë çdo ligj, çdo kod, çdo rregull", vijoi ai.
Kjo protestë kombëtare që Sali Berisha ka thirrur ditën e enjte në orën 11.00 para Kuvendit, e gjet atë personalisht në shtëpi nën masën e sigurisë të dhënë nga togat e zeza, ndërsa tubimi vetë pason ata të zhvilluar prej javësh përpara Bashkisë së Tiranës.