Presidenti i Partisë së Lirisë, në një intervistë që ka dhënë nga burgu ka treguar për herë të parë se ka pasur oferta për t'u larguar nga Shqipëria, në mënyrë që t'i shpëtonte arrestimit me urdhër të SPAK, si i dyshuar për disa akuza të rënda penale.
Për Gazetën Panorama, Ilir Meta është shprehur se ka pasur të gjitha mundësitë, duke përfshirë dhe oferta të ndryshme, për t'u arratisur por kjo nuk është në karakterin e tij.
"Unë i kam pasur të gjitha mundësitë (edhe ofertat) për t’u larguar nga vendi dhe kjo jo vetëm s’ka ndodhur, por s’ka lidhje me karakterin tim, për më shumë që do justifikoja akuzat false të Ramaformës dhe do braktisja, ata që më kanë zgjedhur dhe më mbështesin. Llogaritë e tyre për të më bllokuar e “lodhur” gjatë 10 muajve të fundit nuk funksionuan", ka thënë Ilir Meta.
Kjo deklaratë e presidentit të Partisë së Lirisë dhe ish-presidentit të Shqipërisë përforcon më shumë zërat se javëve të fundit se Ilir Meta mund të arratisej në Hungari, te Viktor Orban.
Aktorë të ndryshëm publikë kanë deklaruar në vazhdimësi, edhe përpara arrestimit, se Ilir Meta mund të kërkonte azil politik në Hungari. Nuk dihet nëse Policia e Shtetit ka pasur informacion për këto "oferta" që i janë bërë Metës, por dyshimet janë se po, përderisa për arrestimin e tij është aktivizuar një njësi e Forcës Lëvizëse Operacionale.
Lidhur me arrestimin e Ilir Metës reagoi edhe ministri Ervin Hoxha, i cili nuk ishte shumë i qartë në sqarimin e tij, kur i referohej faktit se nëse do të kishte ndodhur në momente dhe rrethana të tjera, prangosja e ish-presidentit mund të kishte pasur pasoja edhe më të mëdha.
"Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici.
Nga ana tjetër, askush nuk e thotë dot, që ajo shfaqje e dhunshme kundërshtie, nuk do të kishte qenë e njëjta kudo tjetër, ku do të mund të bëhej ndalimi i tij.
Madje sipas analizës përgatitore të operacionit, në të tjera rrethana, rezultati mund të kishte qenë edhe më problematik për shijen e atyre, që mbrëmë e trajtuan Policinë si autore të një operacioni të dhunshëm", shkroi një ditë pas operacionit ministri i Brendshëm.