Hapësire reklamuese

Politikë

OKB miratoi rezolutën për Srebrenicën, ministri Hasani: Çdo vit, më 11 korrik do nderohen viktimat e gjenocidit!

Shkruar nga Newsbomb
OKB miratoi rezolutën për Srebrenicën, ministri Hasani:
Ministri Igli Hasani

Kreu i diplomacisë shqiptare, ministri Igli Hasani ka reaguar për miratimin e rezolutës për përkujtimin e gjenocidit në Serbrenicë, në mbledhjen e sotme të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

"Çdo vit, 11 korriku do të jetë dita për të nderuar viktimat dhe për të mbështetur të mbijetuarit e gjenocidit në Bosnjë - Hercegovinë dhe kudo, dhe një kujtim i ashpër i tmerreve të së kaluarës, në mënyrë që ato të mos përsëriten në të ardhmen", shkruan ai.

Ministri Igli Hasani thotë se Shqipëria bashkë-sponsorizoi dhe mbështeti këtë rezolutë, për një nga faqet më të errëta në historinë e Ballkanit, Evropës dhe botës.

Rezoluta e hartuar nga Gjermania dhe Ruanda, që u miratua mes kundërshtimit të ashpër nga serbët, dënon mohimin e gjenocidit, një gjë që vazhdimisht bëhet nga zyrtarët serbë si në Bosnje ashtu edhe në Serbi.

Ambasadorja e Gjermanisë, Antje Leendertse, tha duke paraqitur rezolutën se ajo nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë - anëtare e vlefshme e kësaj organizate. "Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit", tha ambasadorja gjermane.

Më 11 korrik të vitit 1995, serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën që ishte shpallur zonë e sigurt e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara dhe vranë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë.

Vrasjet e Srebrenicës ishin kulmi i përgjakshëm i luftës në Bosnjë përgjatë viteve 1992-1995, e cila pasoi shpërbërjen e ish Jugosllavisë. Si Serbia ashtu edhe serbët e Bosnjës kanë mohuar se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë edhe pse kjo është vërtetuar nga dy gjykata të OKB-së.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese