
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, u nis sot në Kosovë, për të marrë pjesë në ceremonitë shtetërore me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Kreu i Shtetit është i ftuar nga tre autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës: Presidentja Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri, Albin Kurti dhe do të ketë takime me secilin prej tyre.
Një detaj që nuk kishte si t'i shpëtonte syrit të gazetarëve është fakti se Kurti ka vendosur të presë në takim Begajn, por nuk bëri të njëjtën gjë me Ramën një ditë më parë.
Begaj gjithashtu do të mbajë një fjalë në Kuvendin e Kosovës, në seancën solemne që do të mbahet të mërkurën, më 12 qershor, për 25-vjetorin e çlirimit.
Më pas, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të jetë i pranishëm në Parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës që do të zhvillohet në nder të Ditës së Çlirimit si edhe në pritjen shtetërore që organizohet me këtë rast.