Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se një ndër prioritetet kryesore të kësaj force politike nëse vjen në pushtet do të jetë rritja e pagave, pensioneve dhe vendosja e një minimumi jetik për qytetarët.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD, Berisha theksoi se ata me të ardhura më të ulëta do të përfitojnë çmime më të favorshme për shërbime thelbësore si energjia dhe uji i pijshëm.
“Do të vendosim minimumin jetik në 200 euro, pagën minimale në 500 euro dhe atë mesatare në 1200 euro. Por kjo nuk mjafton. Nuk mund të jetë e drejtë që dikush me një pagë prej 500 eurosh të paguajë të njëjtën çmim për energjinë apo ujin si një tjetër që merr 7 mijë euro në muaj. Kjo situatë duhet ndryshuar. Çmimet do të përshtaten në bazë të nivelit të të ardhurave,” u shpreh Berisha.
Ai gjithashtu premtoi se gjatë vitit të parë të qeverisjes do të ndërmerren reforma që do të forcojnë bazën ekonomike, me synimin që Shqipëria të tejkalojë vendet e tjera të rajonit në paga dhe pensione.
“Dikur ishim më mirë se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe këtë standard do ta rikthejmë,” përfundoi ai.