
Ndryshe nga qarqet e tjera të vendit, në zgjedhjet e 11 Majit Shkodra vazhdoi t’i qëndronte “besnike” Partisë Demokratike dhe Sali Berishës.
Socialistët në këtë qark mundën që të sigurojnë vetëm katër mandate, duke mos i dhënë mundësinë kandidatëve në listat e hapura për të qenë pjesë e Kuvendit të ri. Një prej tyre, e cila ishte dhe më e votuara, ka qenë Edona Bilali. Ish-ministrja ndonëse mori besimin e mbi 9000 qytetarëve nuk do të jetë pjesë e legjislacionit të ri.
E lidhur me këtë rezultat së fundmi Bilali ka “thyer heshtjen” duke falënderua të gjithë ata që e votuan, të cilët përmes votës së tyre dëshmuan besimin që kanë te ajo.
Ndër të tjera, ajo ka listuar dhe ato të cilat i quan fitore në këtë qark, të cilat janë: procesi i qetë dhe rritja e mbështetjes socialiste.
“Jam e keqardhur që Shkodra nuk i “bashkohet festës” së fitores masive të Partisë Socialiste në Shqipëri por dy fitore dua t’i rendis: - Proces i qetë. Është fushata e katërt që Shkodra është modeli i qytetarisë. Alibia “zgjedhjet u vodhën, triumfoi krimi” delegjitimohet në Shkodër. - Rritja e mbështetjes socialiste. Partia Socialiste u rrit në vota dhe mori një mandat më shumë krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ky rezultat është inkurajues dhe meritë e të gjithë palëve”, shkruan Bilali.
Postimi i plotë:
#TaneBashke për Shkodrën!
Ky ka qenë lajtmotivi i rrugëtimit tim në politikë që ditën e parë. Këto zgjedhje ishin prova e radhës. Më shumë se 9000 vota ????️ janë konfirmim që puna në skuadër dhe marrëdhënia me qytetarët është pararojë e rezultatit.
Lexoj me shumë mirënjohje e përulem faktit që një në katër votues më ka votëbesuar.
Jam e keqardhur që Shkodra nuk i “bashkohet festës” së fitores masive të Partisë Socialiste në Shqipëri por dy fitore dua t’i rendis:
- Proces i qetë. Është fushata e katërt që Shkodra është modeli i qytetarisë. Alibia “zgjedhjet u vodhën, triumfoi krimi” delegjitimohet në Shkodër.
- Rritja e mbështetjes socialiste. Partia Socialiste u rrit në vota dhe mori një mandat më shumë krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Ky rezultat është inkurajues dhe meritë e të gjithë palëve.
Në aspektin personal nuk jam e keqardhur sa kohë rezultati është vullneti i qytetarëve. Kam një përqafim shumë të madh për kushdo u mërzit për mosarritjen e objektivit, por jam besimplotë që kur qëllimi është i mirë rruga gjendet gjithmonë.
Faleminderit çdo votuesi që mori pjesë në procesin e zgjedhjeve të 11 Majit, çdo komisioneri, vëzhguesi e numëruesi të të gjitha forcave politike që qëndruan për ditë të tëra në tryezat e numërimit të votave!
Jam e bindur se Shkodra dhe Shqipëria Europiane janë në rrugën e duhur për zhvillimin e tyre, të cilat si gjithmonë do t’i ndërtojmë #tanebashke.