Hapësire reklamuese


Politikë

"'Non-grata' është çështje personale e Berishës", Boçi: Nuk duhet të përfshijë Partinë Demokratike

Shkruar nga Newsbomb
"'Non-grata' është çështje personale e
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar pas refuzimit të Britanisë së Madhe për të hequr “non-grata” e vendosur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

I ftuar në emisionin “Opinion” në News24, Boçi tha se çështja diplomatike dhe politike për "non-grata" që ka Berisha me Britaninë apo SHBA-në nuk është e lidhur me Partinë Demokratike, por një çështje personale e tij.

Sipas Boçit, kjo është pohuar më herët edhe nga vetë Berisha, ndërsa shtoi se kur është bërë ankimimi për këto vendime, ish-kryeministri i ka atakuar ato nën emrin e vet personal dhe jo në cilësinë e kryetarit të forcës politike që ai përfaqëson.

“Vetë zoti Berisha e ka bërë të qartë, shumë kohë më përpara se kjo është një çështje personale e tij në raport me non-gratën dhe një çështje që nuk duhet të përfshijë Partinë Demokratike. Vendimet e marra politikisht brenda PD-së janë të tjera. Në këtë rast, çështja diplomatike, politike që ka zoti Berisha është një çështje personale. Dhe kur e ka atakuar, e ka atakuar nën emrin e vet personal dhe jo nën emrin e forcës politike, pavarësisht se ishte kryetar i PD-së i zgjedhur",- tha Boçi.

Për Boçin, vendimi i sotëm i Komisionit të Apelimit dhe Emigracionit për të mos pranuar kërkesën e Berishës për t'i hequr "non-gratën" është një vendim politik dhe jo gjyqësor, pasi ky Komision është pjesë e administratës politike që lëshoi më parë këtë urdhër. 

"Vendimi i sotëm, i Komisionit të Posaçëm të Apelimit dhe Emigracionit nuk është vendim gjykate. Ky Komision nuk është gjykatë, por është pjesë e administratës politike që ka dhënë vendimin, dhe normal që do mbronte këtë administratë duke penguar ankimimin e zotit Berisha në gjykatë. Ky filtër vlerëson se ky nuk është një vendim gjykate, por një vendim politik”,- përfundoi Luçiano Boçi.

Kujtojmë se më herët Gjykata Britanike refuzoi që të marrë parasysh ankimimin e ish-kryeministrit Sali Berisha për “non-grata”.

Në reagimin e tij, Berisha e cilësoi si të padrejtë këtë vendim ndërsa hodhi akuza ndaj organit gjyqësor se është i ndikuar politikisht dhe i korruptuar. Sipas Berishës,  gjykata nuk ka marrë në shqyrtim asnjë nga provat që i janë paraqitur nga avokatët e tij, por e ka marrë vendimin bazuar në transmetimet mediatike të cilat nuk janë të vërtetuara.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese