Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te çelja zyrtare e negociatave dhe vota e Diasporës

Shkruar nga Newsbomb

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te

Viti 2024 ka qenë një ndër më të bujshmit për politikën shqiptare, në tërësi, por edhe për ngjarjet që ka prodhuar duke shënjuar karrierën politike të disa prej personazheve më të rëndësishme të saj. Arrestime që publiku shumë i kishte pritur, ashtu si çelja e negociatave zyrtare me BE, një aspiratë e kahershme e shqiptarëve. Vota e Diasporës ka vendin e saj në këto zhvillime.

Sali Berisha, nga izolimi në lirinë aq shumë të kërkuar

Ish-kryeministri dhe lideri demokrat Sali Berisha u izolua në arrest shtëpiak në 30 Dhjetor 2023, duke prodhuar një nga masat e sigurisë më të rënda që ishte dhënë për një politikan kaq të lartë në Shqipëri, në 33 vite demokaci. Viti 2024 mund të cilësohet për Sali Berishën padyshim si viti i tij.

Ai bëri një betejë të fortë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, paralelisht për të dalë nga izolimi shtëpiak dhe për të drejtuar demokratët në protesta, si dhe për të marrë vulën zyrtare të Partisë Demokratike. Kur ditët e këtij viti ishin drejt mbarimit, Sali Berisha fitoi lirinë, ndërkohë që pak kohë përpara rënies së masës së sigurimit personal, gjykata i njohu dhe të drejtën e drejtimit të partisë më të madhe opozitare.

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te
Sali Berisha ne ballkonin e shtepise se tij

Thirrja në SPAK e Erion Veliaj

Opozita protestonte çdo javë nën dritaret e zyrës së tij pas arrestimit të disa drejtorëve të rëndësishëm në kabinetin e tij, të lidhur me inceneratorin e Tiranës dhe tenderat në Bashkinë e Tiranës. Thirrja e Erion Veliaj për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme në muajin Prill dhe dëshmia e tij për rreth 8 orë para hetuesve të Byrosë Kombëtare dhe prokurorëve të SPAK, i dha tjetër kthesë ngjarjeve.

Akuzat politike dhe publike ndaj kryebashkiakut socialist të Tiranës u duk se ishin marrë seriozisht nga drejtësia dhe ato nuk ishin fare pa zë. Në ditët e fundit të Dhjetorit, Erion Veliaj u pa sërish në dyert e SPAK dhe qëndroi për pesë orë. Organi i akuzës sqaroi se ai po hetohej për një vepër penale, ndërkohë që kishte dyshime dhe për tre vepra të tjera shumë të rënda.

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te
Erion Veliaj ne SPAK

Ikja e papritur e Lindita Nikollës, pasojë e sherreve në PS

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindia Nikolla dha papritur dorëheqjen në përfundim të sesionit të gjashtë të legjislaturës së X-të, duke lënë të shtangur socialistë e demokratë. Në fund të një seance të gjatë, mbushur me debate e diskutime, Nikolla u shfaq në foltore dhe aty njoftoi se rrethanat personale e kishin shtyrë drejt një vendimi të vështirë, dorëheqjes.

Ajo tha se vendimi ishte i ndikuar nga problemet shëndetësore, por në korridoret e Kuvendit nuk përflitej për një arsye të tillë, por për shkak të luftës së brendshme që kishte nisur me grave të Partisë Socialiste. Vendimi i saj erdhi 4 ditë para Kongresit të PS dhe në vendin e Nikollës e zuri Elisa Spiropali.

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te
Lindita Nikolla ze vend mes deputeteve socialiste

Ndryshimet në Kabinet, 8 muaj nga zgjedhjet

Në ditët e nxehta të Korrikut, në fund të një fjalimi të gjatë para Kongresit të Partisë Socialiste, Edi Rama njoftoi ndryshime në kabinetin qeveritar. Një skenë që dukej si përsëritje, një “deja vu” që ai e bënte çdo vit, vetëm se këtë herë që në verë, duke mos pritur shtatorin.

Pa shpjegime dhe një arsye konkrete ai u tha socialistëve se kishte vendosur që të largonte ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe atë të Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete. Ata u zëvendësuan nga tre ministra të rinj pa përvojë politike dhe pothuajse të panjohur për publikun, Ervin Hoxha, Pirro Vëngu dhe Petrit Malaj.

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te
Ilustrim: Edi Rama - Kongresi i PS

Gerti Bogdani, ikja e padrejtë e një politikani model

Politika dhe gjithë opinioni publik në Shqipëri u tronditën mesditën e 18 Shtatorit, kur mediat dhanë lajmin e kobshëm se Gerti Bogdani kishte ndërruar jetë papritur. Qytetar dhe politikani model me bindje të djathta, ishte në një konferencë në Hotel Rogner kur zemra i ndali, duke e larguar përgjithmonë nga familja e tij e dashur dhe miqtë e shumtë që kishte bërë gjatë jetës.

Ai mbylli sytë në moshën 44 vjeçare, duke shtangur kolegët në Parlament, të cilët si rrallëherë u bënë bashkë për të nderuar kujtimin e Gertit dhe për ta përcjellë atë për në banesën e fundit. Bogu, siç e thërrisnin në Partinë Demokratike, iku shumë herët. Homazhet për të u zhvilluan në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë dhe për disa orë me mijëra qytetarë të zakonshëm morën pjesë në lamtumirën e fundit.

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te
Homazhe në nderim të ish-deputetit, Gerti Bogdani

“Babalja” që mori në qafë Salianjin

Deputeti demokrat Ervin Salianji është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Apelit në Tiranë, për dosjen e shumëpërfolur “Babale”. Pas disa vitesh seanca gjyqësore, togat e zeza lanë në fuqi vendimin e dhënë disa vite më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ervin Salianji u detyrua të vetëdorëzohej në Polici dhe humbi automatikisht dhe mandatin e deputetit.

Opozita mbajti një protestë në kryeqytet, ku nuk munguan aktet e dhunës, dhe e dënoi vendimin për burgosjen e Ervin Salianjit. Sipas opozitës, vendimi për dënimin e tij me 1 vit burg ishte burg politik dhe si i tillë nuk do të pranohej asnjëherë, si nga Salianji ashtu dhe nga Partia Demokratike ku ai aderonte prej vitesh.

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te
Ish-deputeti Ervin Salianji

Negociatat me BE, një realitet

Shqipëri ka nisur zyrtarisht më 15 Tetor procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare dhe çelja e grupkapitullit të parë në Luksemburg, shënojnë një hap të rëndësishëm në rrugën e vendit tonë drejt unionit të bashkuar; një ëndërr e kahershme që tashmë ka nisur të jetësohet.

Hungaria, e cila mbante presidencën gjashtëmujore të BE-së, thirri Konferencën Ndërqeveritare, pasi vendet anëtare të bllokut u dakortësuan se Shqipëria i kishte përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e grupkapitullit të parë që ka të bëjë me të drejtat themelore.

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te
Kryeminsitri Edi Rama, Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó dhe Komisionerja për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos

Radha e Jurgis Çyrbjas

Akuzat e rënda penale ndaj deputetit socialist Jurgis Çyrbja dhe prangosja e tij nga Forcat Speciale, me kërkesë të SPAK, shënuan një nga rastet më flagrante të simbiozës politikë-krim. Deputeti i Qarkut të Durrësit akuzohet se ka dekonspiruar operacionet e Policisë së Shtetit, duke u dhënë informacion personave në kërkim që të largoheshin nga vendet ku qëndronin. Në kembim, anëtarët e krimit të organizuar siguronin vota për ta nxjerrë atë deputet.

Jurgis Çyrbja dha dorëheqjen nga mandati që e mbante prej vitit 2017 dhe menjëherë u arrestua. SPAK bëri të ditur se urdhërarresti ishte lëshuar nën akuzat “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”.

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te
Momenti arrestimit të Jurgis Çyrbjas

Furtuna nuk kurseu as Ilir Metën

Ilir Meta vazhdonte aktivitetin e tij politik prej muajsh, madje shumë intensiv edhe kundër Prokurorisë së Posaçme dhe drejtuesit të saj, Altin Dumani, duke mos kursyer ofendimet personale për të. Epitete si “DumDuman” dhe të tjerë ishin gati të përditshme, derisa të hënën e 21 Tetorit Forca Operacionale I bënë postbllok në hyrje të Tiranës dhe e prangosën në mes të rrugës.

Ish-presidenti I Shqipërisë udhëtonte bashkë me shoferin, njëherësh zyrtar I Partisë së Lirisë nën akuzat për korrupsion të kryer në bashkëpunim në tre raste, pastrim parash dhe mosdeklarim e fshehje të pasurisë. Bashkë me të akuzohet dhe Monika Kryemadhi, si dhe vjehrra Fatime Kryemadhi, por ndryshe nga to, Ilir Meta është në qeli.

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te
Ilustrim: Momente nga arrestimi - Ilir Meta

Diaspora shqiptare voton për herë të parë

Për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, do të votojnë edhe emigrantët shqiptarë kudo ku ata janë nëpër botë. Politika shqiptare gjeti dakordësinë për t’i dhënë mundësinë diasporës që të shpreh vullnetin e vet, duke dërguar me post votën për kandidatin për kryeministër të Shqipërisë.

Komisioni Qendror I Zgjedhjeve ka nisur prej javësh procedurat dhe zarfi do të dërgohet e kthehet me postë. Të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga shteti dhe partitë politike kanë caktuar koordinatorët e tyre, për të bindur emigrantët që të marrin pjesë në këtë proces dhe të votojnë kandidatin e tyre për kryeministër.

Ngjarjet politike që shënjuan 2024, nga arrestimet e SPAK te

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese

op
ed