
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka njoftuar sot se ka firmosur urdhrin për analizmin e rezultatit zgjedhor për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë, me qëllim verifikimin e rolit dhe punës së secilit prej anëtarëve të PL-së.
Në shkresën e publikuar nga vetë ai, urdhërohet dorëzimi i raporteve me shkrim brenda datës 23 maj ku të përpilohet aktiviteti i gjithësecilit të angazhuar në terren gjatë fushatës zgjedhore, raport personal mbi aktivitetin e kyer nga çdo anëtar ditën e zgjedhjeve si dhe për ditët pasuese të numërimit të votave në QV e marra përsipër.
Gjithashtu një raport i posaçëm kërkohet dhe nga Sekretari për Diasporën mbi aktivitetin e Komisionit të ngritur për verifikimin e votuesëve nga jashtë vendit.
“Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë,
Firmosa sot urdhrin për analizimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit për çdo Njësi dhe Qendër Votimi në Qarkun Tiranë për të verifikuar punën dhe rolin e gjithsecilit.
Edhe njëherë faleminderit me mirënjohje të gjithë atyre të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës, duke vijuar me vendosmëri, qëndresë e kurajë t’i prijnë betejës tonë të përbashkët në mbrojtje të kauzave madhore”, thuhet në statusin e publikuar nga Ilir Meta.