
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, u shpreh mbrëmjen e kësaj të marte se është nën hetim pasuror nga SPAK.
E ftuar në emisionin “Real Story”, Kryemadhi theksoi se duke filluar nga viti 1992 dhe deri më sot ajo ka jetuar me paratë e saj dhe nuk ka përfituar asnjë pasuri nga bashkëshorti, Ilir Meta.
Ndër të tjera deputetja u ndal dhe te thashethemet që qarkulluan me ditë të tëra për arrestimin e mundshëm të saj dhe Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës. Sipas Kryemadhit këto deklarata kanë si burim Bashkinë e Tiranës.
“Unë e kam analizuar, por të gjitha thashethemet që sponsorizohen, dhe ndahen në media, kanë ardhur me origjinë nga Bashkia e Tiranës. Të gjitha deklaratat për arrestimin e Metës edhe Kryemadhit për mua kanë një origjinë që vijnë nga Bashkia e Tiranës. Ju e dini se gjysma e deputetëve janë në SPAK për hetim pasuror si puna ime. Jam në hetim pasuror. Mamaja dhe vëllai im nuk kanë fituar asnjë para publike nga Inceneratorët. Po na bëjnë vetting në një farë mënyrë. Secili nga na duhet të justifikojë pronat. Monika Kryemadhi nga viti 1992 ka jetuar me paratë që kanë ardhur nga familja dhe puna e saj”, tha Kryemadhi, teksa më tej u pyet dhe për raportin e saj me Ilir Metën si dhe situatën politike të krijuar në Partinë e Lirisë.
Kryemadhi tha se familja është e panegociueshme, duke shtuar se Ilir Meta ka marrë kohën e tij të reflektimit.
Pjesë nga biseda në studio:
Kryemadhi: Për mua familja është e shenjtë dhe e panegociueshme. Jeta ime private nuk është interes publik. Ashtu sikurse atë për të cilën përfaqësoj, jap të drejtën të më komentojnë për veprimet politike dhe jo për veprime brenda shtëpisë time. Meta ka zgjedhur një mënyrë reflektimi. Nuk është hera e parë…Të gjithë kemi momente që reflektojnë dhe unë ka momente që dua të jem larg, ndoshta është një vendim që i duhet, të gjithëve na duhet. Sepse kalojmë në faza që reflektojmë.
Keni komunikim me njeri tjetrin?
Kryemadhi: Jemi njerëz të çuditshëm, mund t’i bëjmë me kodifikime. Nëse do të kem nevojë për të komunikuar i shkruaj, por nuk e kam parë të arsyeshme , për situata shëndetësore. Politikisht sigurisht që jo.
Është ndjerë tek fëmijët?
Kryemadhi: Fëmijët janë të rritur, të dy bashkë me Ilirin jemi krenar për atë që fëmijët tanë përfaqësojnë