Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina ka reaguar në lidhje me ngjarjen e publikuar ditën e djeshme nga News Bomb, mbi fshehjen e skandalit nga Policia e Tiranës, ku bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj qëllon me thikë drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive.
Sipas zëdhënëses së PD, fshehja e kësaj ngjarje nga organet kompetente dhe nga vetë ministrja, tregon përfshirjen e partisë në pushtet në sistemin e drejtësisë shqiptare, duke dëshmuar kështu se qytetarët janë të pafuqishëm kundrejt pushtetarëve thotë ajo.
“Ngjarje të tilla dëshmojnë edhe njëherë se si funksionon shteti i korruptuar i Edi Ramës: qytetari është i pambrojtur dhe i pafuqishëm ndërsa pushtetarët me imunitet mbrojnë jo vetëm veten por dhe familjarë të tyre edhe kur bëhet fjalë dhe për akte dhune me pasoja për jetën apo shëndetin e njeriut”,- thuhet në njoftimin për media.
Më tej, në deklaratën e tyre, PD vlerëson kontributin e medias në zbardhjen e ngjarjeve të tilla me përmasa skandalizuese, ndërsa kërkojnë që Kryeministri Edi Rama të shkarkojë ministren Delina Ibrahimaj për fshehje të ngjarjes dhe favorizim të partnerit të saj, ose ai të mbajë përgjegjësi për këtë çështje duke u dorëhequr si kryeministër i paaftë i një qeverie të korruptuar.
“Denoncimi nga media i këtij skandali dëshmon qartë rolin e madh që ka ajo si aleate e publikut për të denoncuar dhe kontribuar në të mirë të tij.
Kryeministri Rama, të cilit është bërë zakon t'i hanë dardha e kumbulla pas shpine, nuk mund të fshihet më pas përgjegjësisë individuale. Ose duhet të shkarkojë ministren Ibrahimaj, për ushtrimin e pushtetit në fshehjen e ngjarjes, ose duhet të japë vetë dorëheqjen si kryeministër i paaftë i një qeverie të korruptuar!”,- thuhet në deklaratën e PD-së.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ZËDHËNËSJA, MIRELA KARABINA
Një ngjarje në përmasat e skandalit ka ndodhur mëngjesin e datës 20 Nëntor 2023 në mes të Tiranës, por që është mbyllur nga përfshirja e drejtuesve të disa institucioneve të rëndësishme shtetërore.
Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK) është kërcënuar dhe qëlluar me thikë nga A.I., bashkëshorti i ministres Delina Ibrahimaj. Rasti është kallëzuar në Policinë e Tiranës nga shtetasit E.K., por institucionet shtetërore kanë heshtur.
Ngjarja është denoncuar nga një media e cila jo vetëm e ka bërë të njohur për publikun ngjarjen e rëndë të një vepre penale që ka për objekt jetën dhe shëndetin e njeriut, por njëkohësisht ka dëshmuar skandalin e fshehjes së ngjarjes nga Policia e Shtetit.
Pas denoncimit në media, ka reaguar Ministrja Ibrahimaj dhe e ka pranuar faktin por pa dhënë shpjegime për shkakun e vërtetë se pse dhe si ndodhi ngjarja.
Pse Ministrja priti 5 muaj që të reagojë për këtë ngjarje të rëndë?
Pse Policia e Shtetit e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen?
Pas reagimit të ministres dhe pranimit të përfshirjen së bashkëshortit të saj në këtë skandal, Policia e Shtetit duhet të japë shpjegime dhe të hedhe dritë mbi motivet e ngjarjes.
Ngjarje të tilla dëshmojnë edhe njëherë se si funskionon shteti i korruptuar i Edi Ramës: qytetari është i pambrojtur dhe i pafuqishëm ndërsa pushtetarët me imunitet mbrojnë jo vetëm veten por dhe familjarë të tyre edhe kur bëhet fjalë dhe për akte dhune me pasoja për jetën apo shendetin e njeriut.
Denoncimi nga media i këtij skandali dëshmon qartë rolin e madh që ka ajo si aleate e publikut për të denoncuar dhe kontribuar në të mirë të tij.
Kryeministri Rama, të cilit është bërë zakon t'i hanë dardha e kumbulla pas shpine, nuk mund të fshihet më pas përgjegjësisë individuale. Ose duhet të shkarkojë ministren Ibrahimaj, për ushtrimin e pushtetit në fshehjen e ngjarjes, ose duhet të japë vetë dorëheqjen si kryeministër i paaftë i një qeverie të korruptuar!
Faleminderit!