Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar në rrjete sociale menjëherë pas bërjes me dije se ai do të merret ditën e nesërme në pyetje nga SPAK si person nën hetim.
Në postimin e tij në Facebook, Meta shkruan se u njoftua nga mediat në lidhje me seancën që do të mbahet nesër nga organizata kriminale, siç e quan ai SPAK, duke theksuar dhe njëherë që arrestimi i tij, ishte një formë rrëmbimi i paligjshëm banditesk.
Ndër të tjera lideri i PL thotë se në atë seancë do të jetë ai që do të drejtojë pyetje dhe më pas do të ketë një komunikim për mediat për të thënë më shumë nga ajo çka pritet të ndodhë brenda asaj seance.
“Sapo mësova nga mediat e regjimit, që nesër unë, lideri i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare dhe forcës së tretë politike në vend, qenkam thirrur për t'u pyetur nga organizata kriminale SPAK, e cila firmosi rrëmbimin tim të paligjshëm dhe banditesk.
Padyshim që do jem atje për t'i marrë unë në pyetje dhe pas kësaj seance jam i hapur për çdo pyetje nga mediat që do të jenë të pranishme,” shkruan Ilir Meta.