Ditën e nesërme, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit së bashku me opozitën kanë lajmëruar protestën e tretë përpara bashkisë së Tiranës ku kërkojnë largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Mesditën e ditës së sotme, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka ndarë një video me pamje nga protesta e javës së kaluar u ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje në tubimin nesër.
Bardhi i fton qytetarët të marrin pjesë në protestë duke thënë se e premtja është e qytetarëve për taksat e vjedhura.
Sipas Bardhit, korrupsioni në bashkinë e Tiranës është duke ulëritur.
“Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës ulërinë dhe është shkaku kryesor pse sot bizneset, qytetarët në nevojë dhe të rinjtë ndjehen të braktisur. Koha për të mbajtur përgjegjësi. Nesër, ora 11:00, përpara Bashkisë së Tiranës, së bashku me qytetarët e ndershëm të Tiranës.”
Protesta e javës së kaluar para ambienteve të Bashkisë së Tiranës agravoi në përplasje fizike. Qytetarë të shumtë, të cilët ishin mbledhur para këtij institucioni kanë hequr me forcë gardhin metalik që ishte vendosur para Bashkisë. Gjithashtu, ata kanë hedhur molotovë në drejtim të forcave të policisë si dhe tabelat të cilat mbanin nëpër duar duke goditur kështu edhe efektivët.