Kreu i PD, Sali Berisha ka dalë nga salla pasi kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali i bllokoi mikrofonin sepse nuk po mbante fjalën për procedurë.
Në ambientet e jashtme të Kuvendit, Berisha ka dhënë një prononcim për mediat ku u shpreh se brenda Partisë Socialiste ka nisur një betejë e brendshme. Kjo sipas Berishës për shkak të lidhjes së tyre me krimin.
“Mblidhen atje dhe fillojnë dhe zihen pse e lejove këtë opozitës.
Nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë fjalën loti. Kanë kthyer modelin e Loteve, modeli i shumëfishimit të vjedhjeve. Kanë gjetur Lotet, sa flas unë për Lotet. Merrem me opozitën, si të mbrojnë vjedhjet e tyre nga opozita.
Janë të shkërmoqje, në një beteje të brendshme dhe unitet me krimin nuk ka. Koha do të provojë si këta do të pësojnë disfatën më të thellë në datën 11 Maj dhe do të arkivohen në banesën e turpit me këtë që i kanë bërë Shqipërisë” - tha Berisha jashtë Kuvendit.
Ndërsa më herët në fjalën e mbajtur në foltore, Berisha paralajmëroi se nëse mazhoranca nuk respekton Kushtetutën, në sallën e Parlamentit do të vijë mosbindja civile.
Berisha i ka quajtur deputetët e mazhorancës “zogj në klloçkë”, për të cilët u shpreh se shumë shpejt do të dalin pa pupla në publik. Ai gjithashtu akuzoi qeverinë se me buxhetin prej 8.2 miliardë eurosh kanë rritur vetëm rrogat e tyre.