
Kryeministri Edi Rama ka folur mbi investimin miliona dollarësh që dhëndri i ish-presidentit, Donald Trump, Jared Kushner pritet që të bëjë në jug të Shqipërisë, konkretisht në ishullin e Sazanit.
Gjatë një interviste për “Financial Times”, Rama shprehet se ishte Kushner ai që erdhi me një propozim që të investonte në këtë zonë, për të hapur një resort luksoz.
Sipas kryeministrit, ky investim është shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare pasi do të sjellë fitime marramendëse, si dhe për fushën e turizmit, duke i hapur kështu rrugë zhvillimit të turizmit elitar në vend.
"Ne kemi nevojë për investime të kategorisë lux, ashtu si ka nevojë për shkretëtira për ujë",- është shprehur Rama në intervistën për "Financial Times".
Projekti i Sazanit është një projekt goxha ambicioz i prezantuar nga biznesmeni i njohur Jared Kushner. Ai do të jetë pjesë e rrjetit të resorteve luksoze “Aman” dhe që jep shërbime hotelerie lux për më të pasurit në botë.
Resortet Aman janë të ngritura në disa shtete të botës që nga Arabia Saudite, Tajlanda, Meksika, Italia, Indonezia, India e tani së fundi hartës do t’i shtohet edhe Shqipëria.
Resorti do të drejtohet nga marka ultra-luksoze Aman dhe qershia mbi tortë e këtij investimi do të jetë ushqimi Carbone. Jehonë këtij lajmi i bënë edhe mediat amerikane duke thënë që Ivanka Trump dhe Jared Kushner do të hapin resortin luksoz Aman në Shqipëri.
Qëllimi i këtij projekti është që të transformojë ishullin e Sazanit, i përdorur deri më tani vetëm si një bazë ushtarake, në një eko-resort luksoz të markës Aman.