Hapësire reklamuese

Politikë

Mundësia e Agron Shehajt!

Shkruar nga Newsbomb
Mundësia e Agron Shehajt!
Agron Shehaj ne Revisten Newsbomb.al

Nga Anta Muçaku

Ai mund të ishte tani duke drekuar apo darkuar mes njerëzve më me influencë në botë, mes biznesmenëve të suksesshëm, atyre që kanë bërë emër, histori në botën e biznesit, medias apo politikës. Në një mbrëmje pushimi në Maldive, buzë detit në një resort luksi me të madhin Andrea Bocelli, sipërmarrësin Matteo Zoppas, i cili drejton biznese shumëkombëshe me vlerë miliona euro, drejtorin e gazetës “La Repubblica”, futbollistin Oliver Giroud (Zhiru), Paolo Fiorellin, president i kompanisë postare botërore. Njëjtë siç ishte atë natë, kur një darkë mes këtij niveli, u bë lajm në revistën Prestigjoze “Forbes”.

Por jo, ai ka zgjedhur të bëjë politikë në Shqipëri dhe për më tepër, t’u thotë shqiptarëve të vërtetën, në një kohë kur ne, na janë mësuar edhe veshët tashmë me gënjeshtrat që kemi dëgjuar nga politikanët këto 30 vite. E kam fjalën për Agron Shehajn.

Dhe duke ditur gjithë atë rrjet njohjesh e kontaktesh të tij për të cilët shkroi gjatë “Forbes”, e pyes troç: Po ç’të duhet Shqipëria, Agron? Pse ato para që ke nuk i shijon në një vend të sigurt, mes atij rrethi elitar, ku nuk të rrezikon asgjë e askush, por vjen këtu dhe i hyn një beteje që nuk i dihet si përfundon? “Shqipëria është vendi ku kam lindur.

Është vendi të cilit i kam borxh gjithçka. Shqipëria më ka dhënë jetën. Në fund të fundit, është vendi im. Unë mund të bëj politikë edhe në Itali, por Shqipëria është e para, është ajo që më përmbush si njeri dhe e ndjej si detyrim. Është detyrë”, më thotë Agroni, me sigurinë dhe besimin e një njeriu që e di se është duke bërë gjënë e duhur. E në fakt ka shumë nga ata, që duke e parë modelin perëndimor, frymën europiane që ai përcjell në politikë, por edhe për të qenit aq idealist, mendojnë se Agroni është për një “terren të huaj”, jo shqiptar.

Mundësia e Agron Shehajt!
NE FOTO: AGRONI, BASHKËSHORTJA ENIDA DHE 3 FËMIJËT E TYRE, ALEKS, DANIEL, KLARA

Por Agroni nuk e sheh kështu. Nga takimet që ka përditë në çdo cep të Shqipërisë ku është duke zhvilluar një tur bisedash të hapura, ai thotë se qytetarët janë të etur për një alternativë të re, për njerëz të vërtetë. Dhe ajo që vihet re dhe është e pazakontë në ligjërimin e Agronit gjatë këtyre takimeve, është fakti që nuk u thotë shqiptarëve, siç kemi dëgjuar shpesh politikanët në kohë fushatash, premtime të natyrës: “Ky është fundi i Edi Ramës! Në zgjedhjet e 2025-ës Rama do jetë i mbaruar, sepse unë do ta mund”!

Përkundrazi, ai u thotë se është e vështirë të mundësh Ramën! Në dukje një absurd për të gjithë ata që bëjnë përditë politikë, dhe synojnë të marrin sa më shumë vota duke përdorur armë nga më të ndryshmet, deri te populizmi e nacionalizmi. Por ai, nuk do t’ia dijë nëse kjo e dëmton, siç shumë mendojnë. Ai është i bindur që shqiptarëve u duhet thënë e vërteta. 

“Situata në Shqipëri është shumë e rëndë. Pushteti ka shtrirë rrënjët kudo, shumë thellë. Ne nuk jemi një vend demokratik ku qytetarët, ditën e zgjedhjeve, shkojnë të votojnë krejtësisht të lirë. Këtu jemi në një sistem ku mazhoranca ka kthyer zgjedhjet në një formalitet, e ka bërë rotacionin politik të pamundur se ka kapur çdo pushtet, pushtetin politik, ka kapur ekonominë, përdor shtetin, është e lidhur me krimin.

Do ishte e pasinqertë nga ana ime, madje do ishte një mashtrim, t’u thoja njerëzve: Hë se ky është një pushtet që ne do e rrëzojmë kollaj fare në zgjedhjet e ardhshme! Duhet të fillojmë të themi të vërtetën. Duhet ta shohim të vërtetën në sy. Ekonomia është e kapur, opinioni është i manipuluar përmes ndikimit në media dhe çdo skandal nuk ka asnjë efekt elektoral”.

Po duke i thënë këtë të vërtetë çfarë fiton? Sepse me ç’shohim, këtu fituesit më të mëdhenj janë ata që dinë shumë mirë të luajnë me propagandën, nacionalizmin… Ata kanë popullaritet sot....

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e 33-të të Revistës Newsbomb.al, i cili ka dalë në treg nga sot, datë 20 Maj dhe mund ta gjeni në të gjitha pikat e shitjes, në të gjithë Shqipërinë. Ju mund të abonoheni dhe online, për të lexuar të gjithë revistën, ose artikujt që ju doni!

 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese