Kryetarja e Komisionit Hetimor për Konçesionet në Shëndetësi, Albana Vokshi është përplasur me deputetin e Partisë Socialiste, Petro Koçi. Deputeti socialist ka filluar që të flasë me tone të larta nga vendi, pa ndezur mikrofonin kundrejt opozitës, ndërkohë që nga ana tjetër kryetarja e Komisionit, Vokshi i është drejtuar atij duke i kërkuar që të mos i bërtasë dhe të mos e ngrejë zërin në këtë Komision.
“Mos guxo të më bërtasësh, ke vepruar në mënyrë të turpshme. Kujdes në këtë komision mos e ngri zërin”, iu drejtua Vokshi, Petro Koçit, i cili fliste pa mikrofon nga vendi.
Pas një bojkoti për të katërtën herë radhazi, është mbledhur sërish Komisioni Hetimor në Shëndetësi, i cili ka nisur me tone të ashpra midis palëve.
Deputetët socialist kanë kërkuar që të votohet plani hetimor i dorëzuar, por sipas Vokshit, plani i hetimit miratohet vetëm pasi të mblidhen faktet dhe provat dhe pasi merren informacionet e kërkuara nga institucionet. Ajo shtoi se plani i dorëzuar është i ndryshëm nga ai i herës së shkuar dhe kërkon rishikim, ndërsa i tërhoqi sërish vëmendjen deputetit Petro Koçi duke i kërkuar që të mos e ngrinte zërin me atë dhe asnjë koleg tjetër të pranishëm në mbledhje, pasi veprimet e tij ishin të turpshme, duke thënë se zhurmuesit po hetohen nga Rai 3.
“Në asnjë rast plani nuk miratohet pa marrë ende provat. Ne kemi kërkuar ngritjen e komisionit, kemi një objekt të komisionit, kemi bërë planin paraprak, pra si do të hetohet sipas kërkesës së opozitës. Niset me kërkesat për informacion më pas kalohet plani. Ju keni depozituar një plan krejt ndryshe nga ai parapraku, do ta lexojmë dhe diskutojmë dhe është edhe pjesë e rendit të ditës. Petro mos e ngri zërin me mua dhe asnjë koleg ke vepruar në mënyrë të turpshme në mbledhjen e kaluar. Lëri zhurmuesit. Zhurmueset t’ia lënë Rai 3 jo këtu. Unë jam mbi palët këtu!”,- është shprehur kryetarja e Komisionit Albana Vokshi.