Ish-presidenti Ilir Meta ka bërë disa deklarata sa të bujshme aq dhe të paqarta mbrëmjen e sotme, teksa ndodhet i ftuar përballë gazetarit Blendi Fevziu në “Opinion”. Duke ju referuar vjedhjeve të servera pak ditë më parë në selinë e Partisë së Lirisë, ai la të kuptohej se nga brenda kishte tradhtarë.
Madje, jo në rangun e anëtarëve të thjeshtë, por në nivele të larta. Fevizu i tha nëse tradhtari ishte Monika Kryemadhi, por Meta refuzoi të jepte emër, ndërsa theksoi se gjithçka ia ka lënë kohës.
“Partia e Lirisë ka patur një problem të madh, sepse ka patur një organizim të ccorganizuar. Në nivelet e larta zakonisht nuk ka gabime, ka tradhti. Që selia e Partisë të mos ketë roje nate prej 6 muajsh dhe kryetari ta marrë veshë vetëm kur emëron Sekretarin Organizativ.
Kjo parti është target e Edi Ramës dhe e krimit të organizuar. Koha është përpara. Tradhtia jo vetëm që ka emër, por tradhtarin e përdorin të gjithë dhe asnjë nuk e do. Mbetet për t’i lënë kohës të bëjë punën e vetë. Partia e Lirisë do të shpërthejë”, tha Ilir Meta.
Më tej, ai tregoi se ka përzënë grupin e shoqërimit të Gardës së Republikës, të cilët sipas ligjit duhet ta ruajnë për 5 vite pas lënies së detyrës.
“Unë nuk i kam hequr ata. Unë i kam përzënë. Se të punosh me një ish-president duhet të jesh shumë korrekt. Askush nuk duhet të dijë se ku është dhe kë takon ai, sepse kush do ta dijë dëshiron të marrë kontrollin e veprimtarisë së tij. Kjo është arsyeja që i kam përzënë”, vijoi Ilir Meta.