Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në një intervistë për Ant1, ka konfirmuar synimin e tij për të rikandiduar në zgjedhjet e vitit 2027, duke shprehur angazhimin për të udhëhequr sërish qeverinë greke.
Gjatë intervistës, Mitsotakis u ndal te disa çështje kyçe për Greqinë dhe u pyet për marrëdhëniet me Shqipërinë, si dhe për çështjen e Fredi Belerit. Ai pranoi se marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kaluar periudha të trazuara, por theksoi rëndësinë e dialogut. Sipas tij, Beleri, në rolin e eurodeputetit të zgjedhur, mbron të drejtat e pakicës greke në Bashkimin Europian.
Mitsotakis u shpreh se Greqia ka arsye të forta për të mbështetur Shqipërinë në procesin e saj të anëtarësimit në BE, duke nënvizuar se mbështetja greke mbetet e palëkundur.
Në lidhje me marrëveshjen e Prespës, Mitsotakis vlerësoi progresin e arritur dhe shtoi se Maqedonia e Veriut do të kuptojë se bashkëpunimi është më i dobishëm sesa pengesat në këtë proces.