Përfaqësuesit e misionit ndërkombëtar të OSBE/ODIHR kanë shkuar mbrëmjen e sotme dhe në selinë e Partisë Socialiste. Ata janë pritur nga dy drejtuesit e lartë, Blendi Klosi dhe Damian Gjiknuri, ndërkohë që ky i fundit zbardh dhe se çfarë kanë biseduar.
"Dialogu politik me opozitën, dakordësia dhe reflektimi në kodin zgjedhor i rekomandimeve të OSBE/ODIHR , përfshirja e shqiptarëve të diasporës për herë të parë në procesin zgjedhor si një element i ri tepër i rëndësishëm, ndihma e vyer që do të vijojë të japë OSBE/ODIHR edhe në zgjedhjet e 11 majit 2025, ishin temë qendrore e diskutimeve", shkruan Damian Gjiknuri.
Mirëpo, teksa Sekretari i Organizimit dhe Zgjedhjeve në PS flet për dialog me opozitën, përfaqësuesit e kësaj të fundit i janë ankuar misionit të OSBE/ODIHR më herët pasditen e sotme, se Edi Rama ka burgosur Sali Berishës dhe Ilir Metën.
Oerd Bylykbashi, si nënkryetar i PD njoftoi se i kishte paraqitur misionit të OSBE/ODIHR tablonë e plotë të situatës së rënduar politike, institucionale dhe parazgjedhore në Shqipëri.
"Vend të veçantë zuri përpjekja e Edi Ramës për të shkatërruar opozitën, duke marrë peng për dy vjet vulën dhe simbolet e PD dhe duke mbajtur në arrest antikushtetues liderin e opozitës Prof. Dr. Sali Berisha dhe përndjekur politikisht drejtues dhe deputetë të partive të opozitës vetëm 5 muaj para zgjedhjeve", shkroi Oerd Bylykbashi.
Edhe në selinë e Partisë së Lirisë, Sekretari Tedi Blushi i ka njohur përfaqësuesit misionit ndërkombëtar të OSBE/ODIHR me arrestimin e kryetarit Ilir Meta dhe akuzat ndaj liderit demokrat Sali Berisha.
"Rrëmbimi kriminal, procesi kryekëput politik hetimor dhe izolimi ekstrem i Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta në prag të vitit elektoral, akuzat e stisura politike ndaj Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, burgosjet dhe shantazhet politike ndaj drejtuesve të tjerë të opozitës, manipulimet paraprake të zgjedhjeve..., ishin disa nga shqetësimet e shprehura prej nesh në këtë takim", shkroi edhe Tedi Blushi.