Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Miratohet me votat e socialistëve rezoluta anti-korrupsion, të hënën shkon në Kuvend!

Shkruar nga Newsbomb
Miratohet me votat e socialistëve rezoluta anti-korrupsion, të
Pamje nga mbledhja

Pas orësh debate është miratuar me 9 votat e mazhorancës projekt-rezoluta për antikorrupsionin dhe pritet të kalojë ditën e hënë në seancën plenare. Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Bledi Çuçi, propozoi datën 27 maj 2024 për dërgimin në Kuvend të draft-rezolutës për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian. 

Duke iu përgjigjur shqetësimeve të demokratëve, të cilët kanë qenë kundër kësaj projektrezolute, Çuçi listoi të gjitha arsyet se pse është e domosdoshme miratimi i rezolutës dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm

"Nuk mund ta bëjë qeveria këtë gjë prandaj po marrim një iniciativë të tillë në Parlament. Qeveria është një nga institucionet që do të raportojë për mirëqeverisjen dhe luftën kundër korrupsionit. S'ka asnjë merak për mbivendosje kompetencash nga Këshilli i Integrimit Europian apo komisionet e tjera. Procesi Screenig është burimi kryesor që na çon në marrjen e kësaj iniciative duke e shpallur prioritet luftën kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjen. Padiskutim që mazhoranca ka barrën kryesore sepse i është deleguar sovraniteti nga qytetarët, por ne kemi kërkuar gjithëpërfshirje në Parlament për ta udhëhequr këtë iniciativë", tha Çuçi.

Ndërkohë më herët Jorida Tabaku tha se rezoluta e propozuar nga Partia Socialiste ka nevojë për një diskutim më të gjerë se sa debati në Kuvend dhe se nevojiten disa ndryshime ligjore, që PD i ka referuar më herët por janë hasur me kundërshtimet e deputetëve të mazhorancës.

Sipas Tabakut, sot qeveria pranon korrupsionin por ka mungesë të vullnetit politik për të ndryshuar rrjedhën, pasi PS kërkon që të krijojë një Komision AdHoc, pra pa një plan paraprak dhe që merr funksione nga Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian.

“Më vjen mirë që lufta kundër korrupsionit duhet ndryshojë dhe qeveria pranon që kemi një korrupsion endemik dhe sot ekziston në të gjithë institucionet. Tani kush ka folur e paska pasur të drejtë. Rezoluta që ju propozoni çon miratimin e ngritjes së një komisioni të posaçëm dhe disa elementë që ne mendojmë se kanë nevojë për një debat më të gjerë se sa debati në kuvend.

Kam dorëzuar disa ndryshime ligjore për të luftuar korrupsionin me ndryshime që i vijnë në ndihmë kësaj beteje dhe që u refuzuan nga PS. Mazhoranca i rrëzoi duke mohuar korrupsionin. Sot, qeveria pranon korrupsionin dhe mungesën e vullnetit politik. Ju kërkoni të krijoni një Komision AdHoc që merr funksione nga KKIE dhe pa asnjë argument”, tha Tabaku.

Socialistët kanë kërkuar bashkëpunim me opozitën për të qenë mbi lartësinë e detyrës dhe për të ngritur një Komision të Posaçëm Parlamentar i cili të adresojë ndërmarrjen e reformave që synojnë MIRËQEVERISJEN, SUNDIMIN E LIGJIT DHE ANTIKORRUPSIONIN PËR SHQIPËRINË 2030 NË BASHKIMIN EUROPIAN.

Në dispozicion të këtij procesi do të kërkohet dhe ekspertiza më e mirë vendase e ndërkombëtare (veçanërisht me partnerët strategjik, BE dhe SHBA), dhe do të hartohet një Plan Kombëtar Veprimi me kohështrirje afatgjatë, duke rekomanduar për sa çmohet e nevojshme edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse.

I gjithë procesi do të mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar dhe do të realizohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet përkatëse në fuqi dhe në asnjë mënyrë nuk do të cënojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese