
Ministri i jashtëm Igli Hasani në një vizitë në Suedi ka zhvilluar një takim me qytetarët shqiptarë, të cilët marrin shërbime në zyrat shqiptare në Stokholm.
Hasani ka zbardhur një pjesë nga takimi ku shkruan se “Mirënjohje dhe mirënjohje për përkushtimin e çdo punonjësi në 44 misione diplomatike dhe konsullore në mbarë botën”.
Janë mbi 71 mijë shërbime konsullore të ofruara në 6 muajt e parë të këtij viti, nga 44 misionet diplomatike dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka njoftuar se në kuadër të përmirësimit dhe lehtësimit të procedurave për shërbimin konsullor online, është e angazhuar që në bashkëpunim me AKSHI, të realizojë për herë të parë ofrimin e 13 shërbime konsullore online.
“Njëherësh po punohet që së shpejti të realizohet pagesa online, për ato shërbime konsullore të cilat kanë tarifë shërbimi. Kjo do të reduktojë kohën e ofrimit të shërbimit nga 1 deri në 5 ditë pune kalendarike.”