
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se programi elektoral i partisë së tij përfshin mbështjetje dhe subvencione për fermerët si dhe blegtorët.
Nëpërmjet një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook, Meta shprehet se programi parashikon 1 mijë euro pagesë direkte për çdo hektar vreshta duke ofruar mundësinë për rritjen e mirëqenies së kultivuesve.
Ndërsa për blegtorët, ai premton pagesë direkte direkte për çdo kokë dele apo dhi me 60 euro për çdo fermë blegtorale me 30 krerë të imta, nga 12 euro për kokë për fermat me mbi 100 krerë që është aktualisht.
“Ky është programi konkret i Partisë së Lirisë në mbështetje të fermerëve shqiptarë. Një mundësi e shkëlqyer për të rritur mirëqenien e tyre, prodhimin dhe kultivuar me sukses varietetet më të mira”, theksoi Meta.
Sipas Metës, në këtë mënyrë do të rritet interesi për të investuar gjithnjë edhe më shumë në prodhimin vendas, aq shumë të kërkuar, me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies së të gjithë fermerëve shqiptarë.