Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka vijuar me akuzat kundrejt kreut të SPAK, Altin Dumanin. Sërish, por kësaj here nga një tjetër studio televizive, Meta ka sulmuar Dumanin duke u shprehur se sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk është i pavarur dhe se kreu i SPAK është “vegël” e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçit.
Teksa është shprehur i hapur për të shkuar kurdo herë në SPAK dhe për tu pyetur, Meta theksoi se SPAK dhe çdo institucion tjetër i drejtësisë është i Agaçit, i cili është dhe përgjegjësi kryesor sipas ish-presidentit për Inceneratorin.
“Shefi i vërtetë, ose më saktë tutori i gjykatave, SPAK dhe çdo insitucioni të drejtësisë është Engjëll Agaçi. Ai ka kontrolluar të gjithë procesin e vettingut dhe është shefi i vërtetë dhe njeriu më i paprekshëm. Sekretari i Përgjithshëm ka përgjegjësinë e parë ligjore. Ai është përgjegjësi kryesor për inceneratorët, PPP që po hetohen dhe çdo gjë tjetër”, tha Meta në “Vizion Plus”.
Pjesë nga biseda:
Ilir Meta: E vërteta është që në këtë vend gjykatat janë mbi gjithçka.
Roland Zili: Duhet të jenë!
Ilir Meta: Janë! Shefi i vërtetë, ose më saktë turoti i gjykatave, SPAK dhe çdo insitucioni të drejtësisë është Engjëll Agaçi. Ai ka kontrolluar të gjithë procesin e vettingut dhe është shefi i vërtetë dhe njeriu më i paprekshëm. Sekretari i Përgjithshëm ka përgjegjësinë e parë ligjore. Ai është pëergjegjësi kryesor për inceneratorët, PPP që po hetohen dhe çdo gjë tjetër.
Roland Zili: Po flisnim për raportin tuaj me SPAK dhe me zotin Dumani…
Ilir Meta: Nuk ka një SPAK të pavarur. Ky është bërë një zëdhënës politik, ka shkelur ligjin për SPAK. Ky flet në emër të të gjithëve, flet politikisht, kërcënon Arben Ahmetajn sepse thotë disa të vërteta që i dhembin këtij dhe Ramës. Ilir Meta ka qenë në SPAK dhe shkon kurdo që të thirret. Ai do më bëjë një pyetje unë do t’i bëj 10 pyetje. Nuk ekziston Dumani, është një vegël e Engjëll Agaçit.