
Ditën e sotme është mbajtur forumi i Institutit Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) në Ljubljanë të Sllovenisë.
I pranishëm në mbledhjen e Forumit ka qenë edhe ish-presidenti Ilir Meta, midis shumë personaliteteve të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Meta ka shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë event, ndërsa shton se gjatë fjalimit të tij të mbajtur më herët në këtë forum ka evidentuar se Shqipëria ndodhet në një regjim autokratik dhe se mungesa e reformave vetëm sa e ka përkeqësuar situatën.
“I nderuar të merrja sonte pjesë në forumin e organizuar në Ljubljanë, Slloveni, nga Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), ku merrnin pjesë ish-Presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesiç, shumë personalitete të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare, si dhe gazetarë nga vende të ndryshme të botës.
Theksova ndër të tjera se Shqipëria ndodhet në një regjim autokratik dhe se mungesa e reformave vetëm sa e ka përkeqësuar situatën”,- shkruan Meta.
Gjithashtu, ish-presidenti Meta shkruan se ka prezantuar edhe prioritetet kryesore që ka partia e tij (PL) për të shëruar sistemin demokratik në Shqipëri si dhe për të rimëkëmbur ekonominë e vendit.
“Partia e Lirisë ka 5 prioritete kryesore për shërimin e sistemit demokratik, rivendosjen e ekonomisë së tregut të lirë dhe garantimin e të drejtave dhe sigurisë juridike të qytetarëve, me qëllim arritjen e objektivit madhor për 4 milion shqiptarë plus”,- përfundon ish-presidenti, Ilir Meta.
Më herët, ish-presidenti Meta foli për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Meta tha se pavarësisht se miqtë tanë në zyrat e Brukselit, shpesh janë magjepsur nga këto makinata propagandistike, për Shqipërinë, janë vënë shumë kushte për të përmirësuar cilësinë e demokracisë, ndarjen e pushtetit, të drejtat e pronës, etj.
“Dyshja autokrate e Shqipërisë dhe Serbisë, Rama dhe Vuçiç, të cilët duken se kanë magjepur shumë në Perëndim, shpesh kanalizojnë energjitë e bashkëpunimit rajonal në drejtim të gabuar: planet e tmerrshme për shkëmbimin e territorit, modelet e bashkëpunimit, si “Ballkani i Hapur”, që sfidojnë proceset e drejtuar nga BE-ja si “Procesi i Berlinit”, kanë shpërdoruar këto energji dhe kanë zgjatur procesin e integrimit në BE.
Cilësia e bashkëpunimit rajonal mes vendeve, si dhe siguria e tyre dhe integrimi i vazhdueshëm në BE, do të varet shumë nga cilësia e demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në çdo vend.
Politikat aktuale në Shqipëri nuk na udhëheqin në drejtimin e duhur. Prandaj, Partia e Lirisë e Shqipërisë është shumë e qartë dhe e përkushtuar për ato që duhet të bëhet”, tha Meta.