Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar ditën e sotme se sipas tij “në Dogana dhe Tatime po bëhet hataja”. Në mbledhjen e parë të Kryesisë pas votimit, Meta prezantoi prioritetet e programit të PL.
“Ne jemi të sigurt në arritjen e programit tonë. Nuk po marrim modelin danez sepse jemi shumë larg, por po marrim modelet më të arrija në rajonin tonë. Rilindja vdes për pak Doganë, si Jovan Bregu për pak magazinë. Në Dogana dhe Tatime bëhet hataje, 500 raste nepotike në tatime dhe dogana”, - tha Meta.
Prioritetet tona, ndalimi i shpopullimit, rritja e pensioneve dhe pagave, investimi në kapital, bujqësia dhe ulja e kostos së jetesës dhe Shqipëria fuqi ekspertuese. Kemi një program mjaft të detajuar që do përpunohet me tej, do elaborohet në çdo detaj dhe zgjon shpresën tek shqiptarët për tu rikthyer dhe riintegruar në vendin e tyre
Meta hodhi akuza se në Dogana dhe tek Tatimet ka më shumë raste nepotike se në çdo institucion tjetër.
“Doganat e penalizuan integrimin e Shqipërisë, se bashkë kemi qenë në qeverinë socialiste dhe ato e bllokuan integrimin e vendit, që u zhbllokua pas rotacionit që u realizua falë edhe krijimit të LSI që solli më pas nënshkrimin e Stabilizim Asociimit. Prapë në Dogana dhe Tatime bëhet hataje, 500 lidhje nepotike në tatime dhe dogana. Kjo diferencë 14% me Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi është 3.3 miliardë euro në vit që vidhet, që nuk hyn në sistemin e administrimit. Është 13.2 miliardë euro në një mandat qeverisës ”, - tha Meta.