Pas “lumit” të akuzave dhe sulmeve që kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, prej ditësh ka lëshuar kundrejt kreut të SPAK, Altin Dumanit, një ceremoni zyrtare i ka “bërë bashkë” këta të dy.
Burime për newsbomb.al bëjnë me dije se pasditen e kësaj të mërkure Ambasada hollandeze në Tiranë zhvilloi në ambientet e "Rogner Hotel Tirana" një pritje në kuadër të “Ditës së Mbretit”.
Të pranishëm kanë qenë zyrtarë, politikanë e diplomatë, mes tyre dhe Dumani me Ilir Metën. Pa ç’ka se kishte shumë njerëz, ajo që ra në sy të të gjithë të pranishmëve ishte fakti se kreu i SPAK dhe ai i Partisë së Lirisë u ulën në sallë me kurriz nga njëri-tjetri.
Ishte vetë kreu i PL-së ai që iu afrua tavolinës së Dumanit, i cili ishte në shoqërinë e Arben Krajës, kreut të KLP-së, Alfred Ballës si dhe prokurorëve të tjerë. Madje mësohet nga newsbomb se në një moment një nga truprojat e kreut të SPAK ka shkuar dhe ka qëndruar mes tavolinave të së dyve, të Dumanit dhe Metës.
Kujtojmë se prej ditësh Ilir Meta po akuzon kryeprokurorin Altin Dumani si një person i cili është “i kapur” nga krimi dhe se është mbrojtësi i pandëshkueshmërisë së kryeministrit Edi Rama.
Këto deklarata të ish-presidentit kanë sjellë me dhjetëra reagime nga ndërkombëtarët, të cilët kanë dënuar gjuhën e përdorur nga Meta si dhe sulmet që po i bëhen kreut të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit.