
Politikani Ilir Meta ka shpërthyer në një valë të dytë akuzash të forta ndaj kryeprokurorit të SPAK Altin Dumani, duke e quajtur "Karajfil" dhe "vrasës të pluralizmit politik". Ky reagim i fortë erdhi teksa Meta ishte në një konferencë për mediat dhe gazetarët i thanë se Dumani ishte përgjigjur pas akuzave të mbrëmshme.
"Pse ça prisni ju, të thotë kushëriri i Nuredinit që ka takuar McGonigal?! Afërmendësh që askush nuk e pret këtë. Afërmendësh që nuk presim ndonjë integritet nga një njeri që ka hyrë shumë thellë në lojërat politike të Edi Ramës, aq sa sapo foli Arben Ahmetaj, doli u tha gazetarëve prisni se kemi surpriza të mëdha për Fabrikën e Bukës. Por nuk është Arben Ahmetaj atje, atje është Erion Veliaj.
Ky është zgjedhur për të respektuar kushtetutën. Ky është zgjedhur për t'i shërbyer drejtësisë dhe për t'u bërë një vegël e shëmtuar e politikës, sepse Nuredini vërtet ka bërë vrasjet që ka bërë vetë, por ky karajfil kujton se mund të bëhet vrasës i pluralizmit politik. Partia e Lirisë është këtu, është e gatshme t'i tregojë vendin kujtdo që kujton se me kushëririn e Nuredinit mund të marrë drejtimin e Partisë së Lirisë", u shpreh Ilir Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë u shpreh se Altin Dumani mendon se do ta bëjnë kryeministër, ndaj është kthyer "në vegël të politikës". Ilir Meta nuk nguroi ta quante atë disa herë gjatë fjalës së tij si "kushëriri" i vrasësit të penduar Nuredin Dumani.
"Me këtë afërmend që qesh e gjithë Shqipëria që sot, mendon se do e bëjnë kryeministër. U bëj thirrje të gjithë këtyre kushërinjve të Nuredinin, të bëhen gati se nëse e dinë kaq thjesht punën e Partisë së Lirisë dhe të Ilir Metës, të pyesin dhe mentorët e tyre sesi e kanë parë veten nga pozita e të fortit, në njeri të squllur.
Kur të ketë dëshirë ky kushëriri i Nuredinit, të marrë këta pentitot, do e ketë Ilir Metën këtu. Në Senatin amerikan, e ku të dojë ai. Nuk kam bërë asnjë kërcënim. Unë nuk jam nga ata që kërcënojnë drejtësinë. E të më dërgoj mua ai patronazhistë e të më thotë ik edhe ti si Arben Ahmetaj se i ke punët keq", vijoi politikani i majtë.
© Newsbomb.al