
Kryeministri Edi Rama nga Elbasani ia “hapi derën” deputetit demokrat, Dashnor Sulës, për tu bërë pjesë e socialistëve. Kushti i vetëm që kishte kryeministri dhe njëherësh kryesocialisti ishte “dizifektimi nga e kaluara”.
E për këtë ftesë publike të kryeministrit Rama për deputeti demokrat ka ardhur një reagim nga vetë kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
I pyetur nga gazetarët lidhur me këtë ftesë të kryesocialistit, Berisha tha se vendi i Sulës është te Partia Demokratike dhe se ai është një eksponent i kësaj force politike.
Duke theksuar sërish se vendimi i tij për të shkuar te Adriatik Llapaj ishte i gabuar, ish-kryeministri u shpreh se ftesa e Ramës sot vërtetoi se “Nisma Shqipëria Bëhet” është palë me kryeministrin Rama.
“Së pari, Dashnor Sula është një eksponent i PD-së me investime reale në këtë parti dhe vendi i tij është në PD. Eksplorimi, se njeri të pagabueshëm nuk ka, ideja e tij për të gjetur strehë tek Llapaj, e mori përgjigjen sot nga Rama.
Rama i thotë atij, sa shkon tek Llapaj, hajde tek unë se është njëlloj, po unë të paktën jam unë padroni. Pra, në këto deklarata shihet se sa e gabuar ka qenë përzgjedhja që bëri Dashi me Llapajn. Sepse ata janë njëlloj. Ata janë paterica të Edi Ramës”, tha Berisha.