Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni do të vizitojë Shqipërinë më 5 qershor. Burime për RTSH bëjnë me dije se Meloni do të pritet në Tiranë nga kryeminstri Edi Rama.
Raportohet se vizita e kryeministres Meloni është në kuadër të Javës Italiane të Kulturës në Shqipëri, por ende nuk janë zbardhur detaje nga agjenda e saj.
Vlen të theksohet se vizita e saj përkon me punimet që ende vijojnë për kampet e emigranteve në Shëngjin dhe Gjadër.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama dhe homologia e tij nga Italia, Girogia Meloni më 6 nëntor 2023 nënshkruan një marrëveshje, ku Shqipëria do jetë vend pritës për emigrantët që shpëtohen në det, jo për ata që mbërrijnë në territorin italian.
Dy qendrat në Shqipëri do të kenë një kapacitet për 3 mijë persona në muaj. Një nga qendrat pritet të ndërtohet në Shëngjin, ku Italia do të kujdeset për financat dhe procedurat e zbarkimit dhe identifikimit, ndërsa qendra tjetër do të ndërtohet në Gjadër.
Gjithashtu dhe Meloni deklaroi se në Portin e Shëngjinit do të ngrihet qendra për pritjen e refugjatëve që do të jetë nën juridiksionin e Italisë, dhe një tjetër strukturë do të ngrihet në Gjadër për akomodimin e tyre, deri sa të shqyrtohen kërkesat për azil, ndërsa Shqipëria do të kontribuojë vetëm me sigurinë.