Ish-kryeministri Sali Berisha i ndodhur në arrest shtëpie, ka dhënë një deklaratë live për mediat përmes Facebook, ku reagon në lidhje me mega-operacionin e SPAK, gjatë të cilit u lëshuan 50 urdhër-arreste.
Berisha sërish akuzoi SPAK dhe Altin Dumanin se kjo është një skemë për të fshehur lidhjet e politikanëve me krimin. Sipas tij, SPAK nuk bëri asgjë për të zbuluar lidhjet e qeveritarëve me krimin e organizuar.
“Nga operacioni, janë lëshuar 50 urdhër-arreste dhe nuk janë kapur as 5 vetë. Nga këta absolutisht asnjë nga bosët e 7 familjeve apo zyrtarët e tjerë, për të cilët janë lëshuar urdhër-arrestet.
Altin Dumani përsëriti këtu skemën e mashtrimit që bëri me djegësin e Tiranës, kur tha se lëshuam 13 mandate arresti, ndërkohë që u arrestuan vetëm dy drejtorë të Erion Veliajt, se të tjerët ishin në burg. Me këtë operacion, SKAP bëri gjithçka për të fshehur emrat e Ramës, Pjerin Ndreut, Ëngjëll Agaçit, që kanë bashkëpunuar me bandat. SKAP i partisë bëri gjithçka që të fshehë lidhjet e politikanëve me kriminelët.
PD denoncon me forcën më të madhe, operacione kallpe si kjo dhe garanton bosët e krimit, se kudo që të ndodhen, të rikujtojnë pak para vitet e mëparshme.
Edhe në papafingot më të fshehta, ata do të gjinden dhe do të kthehen në Shqipëri për të dhënë përgjigje para ligjit, për vrasjet. Garanton padronët e tyre në politikë, nga Edi Rama e poshtë se do të ndajnë me ta fatin e tyre.- tha ndër të tjera Berisha.