Ish-presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, u mor në pyetje sot nga prokurorët e SPAK në lidhje me dosjen CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA.
Meta mbërriti në ambientet e SPAK nëpërmjet tunelit që lidh paraburgimin me zyrat ku merren në pyetje të pandehurit.
Gazetarja Anduena Llabani ka folur në lidhje me dëshminë e Metës, gjithashtu ka zbuluar detaje nga mënyra se si ish-presidenti Meta e përdor qelinë në të cilën ndodhet për të bërë meditime dhe të kujdeset për fizikun.
“Ka qenë një seancë e cila është shoqëruar edhe me tone të larta nga ana e zotit Meta, sepse agresiviteti i zotit Meta në raport me akuzat dhe prokurorët e SPAK-ut ka qenë edhe jashtë dyerve të SPAK.
Zoti Meta për dijeninë tuaj dhe dijeninë e publikut, në dy muaj e pak paraburgim bën meditim dhe joga, kështu që është i aftë të menaxhojë situatën. Gjatë qëndrimit në qeli ai bën meditim dhe joga. Bën gjithashtu edhe një vrap të kushtëzuar”,- tha gazetarja.