
Përveç hetimeve për marrëveshjen Meloni-Rama për emigrantët, emisioni investigativ “Report” i transmetuar në televizionin italian RAI 3 i ka kushtuar vëmendje edhe akuzave të bëra javë më parë nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit, kundrejt vëllait të kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramës.
Gazetari Giorgio Mottola, është ndalur në këto akuza sa i përket përfshirjes së Olsi Ramës, në bandën e ashtuquajtur të “Xibrakës”.
“Disa hije arrijnë deri tek vëllai i kryeministrit Edi Rama. Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë në 2016-ën që emisioni “Report” i publikon ekskluzivisht më poshtë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë tashmë gjykuar dhe që kanë qenë në prani direkte të Olsi Ramës gjatë disa kontrolleve të policisë.
Nga ky hetim lindi një proces gjyqësor ku narko-trafikantët janë dënuar ndërsa Olsi Rama as të paktën nuk u mor në pyetje. Emri i tij, madje është fshirë nga dosjet gjyqësore”, thuhet në emisionin “Report” të RAI 3.
Le carte di un’indagine mostrano che il fratello del premier albanese avrebbe utilizzato per i suoi spostamenti la stessa macchina al servizio dei capi di un cartello del narcotraffico. Segui #Report ora in diretta su #Rai3????https://t.co/ncB8yhNcVj pic.twitter.com/kAeh3Vpttr
— Report (@reportrai3) April 21, 2024
Kujtojmë se javë më parë Gazment Bardhi akuzoi Olsi Ramën se është i përfshirë në bandën e “XibrakëS”. Lidhur me këto akuza, vëllai i kryeministrit depozitoi në SPAK kallëzim për deputetin demokrat. Përmes një reagimi Rama theksoi se Bardhi ka cënuar publikisht nderin dhe dinjitetin e tij publik, si individ, prind dhe drejtues i një klubi të mirënjohur futbolli, “Partizanit”, duke paraqitur fakte të cilat janë të pavërteta.
Sipas tij Bardhi e ka akuzuar vetëm për faktin se ai është i vëllai i kundërshtarit të tij politik, të cilin gjithashtu prej vitesh po i cënojnë dhe përmendin të gjithë anëtarët e familjes.