
Në një intervistë të dhënë për Euronews, kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka ngritur shqetësime të forta lidhur me sulmet që i janë bërë së fundi SPAK-ut. Ai ka kujtuar një pyetje që i ka bërë kreut të SPAK, Altin Dumani, në muajin korrik të vitit të kaluar, gjatë raportimit të ecurisë së Prokurorisë së Posaçme.
Sipas tij, SPAK kishte premtuar se po zhvillonte hetime dhe se kërkonin më shumë kohë, dhe vetëm 6 muaj më vonë ndodhi arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj.
"Veliaj dukej sikur ishte vija e kuqe. Në muajin korrik, kur po raportonte në Kuvend, e pyeta Altin Dumanin se korrupsionin nuk e kanë bërë ministrat apo drejtorët. Nuk ka njeri në Shqipëri që nuk e di, se Erion Veliaj është i korruptuar dhe kryeministri Edi Rama është i korruptuar. E pyetja nëse ka një vijë të kuqë, duke qenë se as SPAK-u nuk shkonte dot. Më tha që po bën hetime dhe se hetimet kanë nevojë për kohë. Dhe pas 6 muajsh pamë që ajo vijë e kuqe u zhduk," tha Shehaj.